Angli-Spanjë. Kjo do të jetë sfida në finalen e Kupës së Botës në futboll për femra. Vajzat britanike triumfuan në gjysmëfinalen e luajtur në Melburn përballë Australisë vendase, me rezultatin 3-1.
Anglia zhbllokoi rezultatin në minutën e 36-të të lojës, me Ella Toone. Përgjigjja e organizatoreve të turneut erdhi në pjesën e dytë me Samantha Kerr, goditja e të cilës u devijua aq sa për të nxjerrë portieren jashtë loje.
Barazimi nuk i demoralizoi anglezet, që shënuan edhe dy herë të tjera në harkun e 5 minutave lojë, me Lauren Hemp dhe Alessia Russo.
Spanja do të luajë finalen e parë në turnetë madhorë, ndërsa edhe Anglia e femrave kualifikohet për herë të parë në histori në finalen e Kupës së Botës. Avantazhi i britanikeve është eksperienca, pasi ato janë kampione të Europës në fuqi.
Finalja Angli-Spanjë do të luhet në Sidnei, mesditën e së dielës. Ndërkohë, të shtunën në mëngjes në Brisbain do të zhvillohet finalja për vendin e tretë ndërmjet Suedisë dhe Australisë. (A2 Televizion)