Tensione në kufirin Poloni-Bjellorusi, policia hedh gaz lotsjellës kundër emigrantëve

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2021, 15:43 | Bota
Tensione në kufirin Poloni-Bjellorusi, policia hedh gaz lotsjellës

Përshkallëzohen tensionet në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, ku prej ditësh janë të bllokuar mijëra emigrantë që duan të hyjnë në Europë. Emigrantët qëlluan me gurë, ndërsa forcat e policisë u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë. Autoritet polake bëjnë të ditur se një grup emigrantësh u përpoq të kalojë me forcë kufirin nga Bjellorusia drejt Polonisë në Kuznice, duke hedhur gurë, shishe e objekte të tjera që sipas burimeve në Varshavë u janë siguruar nga shërbimet bjelloruse.

“Emigrantët sulmuan ushtarët dhe policët tanë me gurë dhe po përpiqen të shkatërrojnë gardhin për të hyrë në Poloni. Forcat tona përdorën gaz lotsjellës për të frenuar agresionin”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes në Poloni.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, e cilësoi si të papranueshme përdorimin e gazit lotsjellës nga ana e Polonisë kundër refugjatëve në kufi.

“Sjellja e palës polake është plotësisht e papranueshme. Besoj se gazi lotsjellës, uji apo të shtënat mbi kokat e emigrantëve në kufirin bjellorus, tregojnë dëshirën për të fshehur veprimet e veta.  Duhet të kuptojnë se po shkelin të gjitha normat e mundshme të ligjit humanitar dhe ndërkombëtar”.

Për javë me radhë, mijëra emigrantë kryesisht nga lindja e mesme po qëndrojnë në kufirin bjellorus në përpjekje për të hyrë në Bashkimin Europian. Minsku akuzohet nga perëndimi se po shtyn emigrantët drejt kufirit në një përpjekje për destabilizimin e BE-së. Sipas agjencisë kufitare polake, vetëm këtë muaj ka pasur mbi 5 mijë përpjekje nga emigrantët për të kaluar kufirin drejt Polonisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos