Shqipëria triumfon në garën e 11 të FIA CEZ, kampionatit të Europës Qendrore të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, zhvilluar në Tara të Serbisë.
Piloti Gentjan Shaqiri dominoi në eventin e zhvilluar në datat 12 dhe 13 gusht. Në timonin e Tattus FR2000, njëvendëshe e krijuar për garat e Formula 3, piloti shqiptar regjistroi rezultate fantastike. Kampioni shqiptar i garave mori vendin e parë në Kategorinë D E2 SS, me kohën 1.45.865. Ky ishte edhe rezultati më i mirë i arritur deri më tani.
Gjithashtu, Shaqiri u pozicionua i dyti në renditjen e përgjithshme dhe aktualisht është në vendin e dytë të Kampionatit të Europës Qendrore, me 50,5 pikë të grumbulluara.
Kampionati i FIA CEZ përfundon më 24 shtator dhe për të luftuar për triumfin, pilotët kanë tre garat e fundit në dispozicion, në Bosnje Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Austri.
Piloti shqiptar do të marrë pjesë në dy garat e fundit, përkatësisht në Ponikva të Maqedonisë së Veriut më 16 dhe 17 shtator dhe në St. Agatha të Austrisë në datat 23 dhe 24 shtator. (A2 Televizion)