Qeveria e Kosovës sqaron hapat që do të ndërmerren për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se grupi punues ka kohë një muaj për të hartuar udhëzimin administrativ, që është një rrugë ligjore për largimin e kryetarëve, jo vetëm të atyre në veri, por në të gjithë Kosovën.
Por ministri tha se nuk bëhet fjalë për dorëheqje të drejtuesve komunalë, por për një peticion.
“Ne kemi kryetarë të komunave në zyre, kjo është me rëndësi...peticioni është shprehje e vullnetit të 20 për qind të trupës votuese të një komune. Nëse në një komunë të caktuar qytetarët e asaj komune arrijnë të kenë 20 për qind të trupës votuese me kërkesën që të largohet kryetari i komunës, atëherë do të trajtohet si kërkesë. Nëse nuk do të ketë, atëherë kjo do të mbetet aty dhe kryetarët vazhdojnë të punojnë.”
ELBERT KRASNIQI, MINISTËR I ADMINISTRIMIT TË PUSHTETIT LOKAL NË KOSOVË
Krasniqi kritikoi Listën Serbe duke thënë se ajo parti asjëherë nuk vepron në të mirë të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, pati akuza edhe ndaj Serbisë.
“Pengesa që të marrin pjesë qytetarët e veriut të Kosovës në zgjedhje është nga Serbia. Dhe kjo Serbi dhe këto institucionet e saj që i ka në dispozicion për të penguar zhvillimin demokratik të Kosovës, do të vazhdojnë gjithmonë. Për ata na duhet të fokusohemi në punën tonë, në demokracinë e shtetit tonë dhe forcimin e shtetit tonë.”
ELBERT KRASNIQI, MINISTËR I ADMINISTRIMIT TË PUSHTETIT LOKAL NË KOSOVË
Kosova arriti një marrëveshje me Bashkimin Evropian gjatë korrikut për uljen e tensioneve në Veri.
Aty përfshihej dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat e kontestuara, me garancinë që serbët do të marrin pjesë këtë herë.
Megjithatë, kryeministri Albin Kurti, që mundësoi pakësimin e prezencës policore në veri, ka konfirmuar se zgjedhje nuk mund të ketë pa qetësimin e plotë të situatës në veri. (A2 Televizion)