Qeveria e Kosovës ka nisur zyrtarisht procedurat ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të vendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në 4 komunat e përfshira.
Kështu raportojnë mediat në Prishtinë që e shoqërojnë lajmin me një vendim të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri me 1 shtator 2023.
Në dokument thuhet gjithashtu se grupi punues do të mbështetët nga zyra e BE-së, përfaqësues nga ambasadat dhe OSBE-ja.
Kjo lëvizje vjen si një tjetër hap në zbatimin e marrëveshjes së arritur mes qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve në veri dhe kthimin në procesin e dialogut me Serbinë. (A2 Televizion)