
Seanca e fundit parlamentare e këtij sezoni në Kosovë dështoi. Shkak për këtë u bë mungesa e kuorumit. Pjesa dërrmuese e deputetëve që munguan ishin nga mazhoranca. Kryeministri Albin Kurti në vend të seancës, drekoi me rrethin e tij të ngushtë në Vetëvendosje, përfshirë kryetarin e kuvendit Glauk Konjufca, dhe shefen e grupit parlamentar, Mimoza Kusari-Lila. Pikërisht kjo e fundit ishte shënjestër e kritikave dhe akuzave të opozitës lidhur me atë që po konsiderohet si afera “zdravo”, me pretendimin se Vetëvendosje ka sabotuar qëllimisht seancën për të shmangur pyetjet lidhur me komunikimet e pushtetit me Listën Serbe.
“Si grup parlamentar i PDK të gjithë së bashku do të vazhdojmë dhe do të kemi angazhim të vazhdueshëm që vendi ta dërgojmë në zgjedhje, vazhdimi i tyre do të thotë vjedhje edhe më e madhe do të thotë vjedhje dhe implikim edhe më i madh i Radojiqiqit në vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës, dhe unë konsideroj se kjo seancë e cila u pamundësua sot mund të jetë edhe si rezultat i angazhimit të vetë Radojqiqit”, tha Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar i PDK.
“Do të shohim a do të ketë brum edhe brenda LVV-së në vjeshtë që do të dalin dhe do të votojnë një mocion për me rrëzuar qeverinë. Përndryshe është e pamundur, duhet me pas njerëz edhe nga brenda LVV-së që do të rrëzojnë qeverinë”, tha Arben Gashi, shefi i grupit parlamentar i LDK.
“Mendoj se kjo gatishmëri do të jetësohet në shtator dhe pastaj përmes mocionit ta shkarkojmë. Unë dyshoj se Albin Kurti do të dorëhiqet sepse është duke iu pëlqyer pushteti. Janë duke u kënaqur në fuqi dhe pushtet, po iu pëlqen zyra, veturat, air kondicioner, stafi, privilegjet, paret tona”, tha Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar i AAK. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, qëndroi për të mbrojtur punën e mazhorancës duke theksuar se sesioni pranveror i kuvendit ishte i suksesshëm pasi janë miratuar rreth 50 projektligje. Ai akuzoi opozitën se nuk dëshiron të votojë për marrëveshjet ndërkombëtare. Ndërkohë, ndër të tjerë, dy deputetë të PDK-së larguan pengesat e vendosura ndaj gazetarëve në sallën e parlamentit të Kosovës. Ndryshimet ishin bërë pas episodeve të dhunës të regjistruara gjatë seancës së 13 korrikut. (A2 Televizion)