Vazhdojnë kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

Nga A2 CNN
27 Korrik 2023, 11:01 | Kosova

Përkundër reagimeve të institucioneve të Kosovës dhe të ndërkombëtarëve se kërcënimet ndaj atyre që duan t’i shërbejnë vendit janë të papranueshme, rrjete sociale serbe kanë vazhduar të publikojnë fotografi dhe emra të pjesëtarëve të rinj serbë që sapo kanë filluar detyrën në Policinë e Kosovës (PK).

Ishte sërish kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse Telegram që publikoi identitetin e pesë policëve të tjerë serbë të PK-së. Madje, këtë herë, ata kanë thënë se kjo është një kundërpërgjigje ndaj këtyre reagimeve.

“Pasi të gjithë ambasadorët perëndimorë, përfshirë edhe kreun e EULEX-it, kanë reaguar ndaj publikimit të emrave të 5 serbëve që kanë filluar të punojnë në të ashtuquajturën Polici të Kosovës, duke e cilësuar si kërcënim që është absurd total dhe asnjëri prej tyre nuk reagon, kur sulmohen, arrestohen, rrëmbehen serbë në Kosovë e Metohi, po shpallim edhe 5 emrat”, thuhet në shkrim.

Personat, identiteti i të cilëve u publikua nga rrjetet sociale serbe këtë radhë kanë inicialet si në vijim: P. R., M. T., J. P., T. G., dhe U. V. Ndërkaq, pas raportimit të KosovaPress-it se rrjete sociale serbe kanë publikuar identitetin e policëve të rinj serbë dy ditë më parë, kanë reaguar krerët e shtetit, ambasadorë e personalitete të tjera.

Ata kanë dënuar një gjë të tillë duke thënë se kërcënimet janë të papranueshme. Kujtojmë se serbët janë dorëhequr nga Policia e Kosovës në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, me kërkesë të Listës Serbe. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/27/albin-kurti-denon-sulmet-ndaj-policeve-serbe-ne-veri-te-neveritshme/
https://a2news.com/2023/07/25/kercenohen-me-jete-policet-serbe-qe-sapo-kane-filluar-sherbimin-ne-policine-e-kosoves/

A2 CNN Livestream

Latest Videos