Zgjerohet skema e pensioneve, përfitojnë personat me pagesë papunësie dhe nënat me shumë fëmijë

Nga A2 CNN
27 Janar 2023, 15:05 | Sociale

Harta e përkujdesjes sociale në vend po zgjerohet. Nënat e papuna me tre apo më shumë fëmijë të mitur, prej të cilëve njëri nën pesë vjeç do të bëhen pjesë e skemës së pensioneve. Periudha e përfitimit të pagesës së papunësisë apo ndihmës sociale do t’u njihet si vjetërsi pune edhe kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuara, të moshuarve që vijojnë të punojnë megjithëse marrin pension, ai dhe ata që trajtohen me pagesë papunësie.

“Ne e dimë shumë mirë që nënat që kujdesen për rritjen e fëmijëve, kjo përkujdesje është afatgjatë. Ata që kujdesen për personat me aftësi të kufizuar gjithashtu. Ndaj është një politikë mbështetëse”, tha ekspertja Rominda Radonshiqi.

Me botimin në Fletoren Zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, numri i kategorive që përfitojnë nga skema e pensioneve arrin në 37. Në një kohë që “Financat” po përllogarisin nivelin e indeksimit të pensioneve dhe pagesave të papunësisë apo ndihmës ekonomike për këtë vit të ri, ekspertët kërkojnë që rritjet të jetë të paktën e përafërt me inflacionin.

“Indeksimi duhet të ndodhë në raport me inflacionin te grupi i ushqimeve, por kjo është e vështirë të ndodhë. Skema e pensioneve dhe Buxheti i Shtetit nuk përballojnë dot shpenzime të tilla”, shprehet Radonshiqi.

Skema e pensioneve pësoi ndryshime edhe fund-vitin e shkuar. Në të u përfshinë gratë shtatzëna, personat me raport mjekësor dhe ata me aftësi të kufizuar.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024