Bayern Munchen ka zyrtarizuar blerjen e sulmuesit anglez, Harry Kane, nga Tottenham.
30-vjeçari ka firmosur një kontratë që do ta mbajë në klubin gjerman deri në vitin 2027.
CEO i Bayern-it, Jan-Christian Dreesen tha se procesi i marrjes së sulmuesit ishte i gjatë, por u mbyll me sukses. "Kane ishte lojtari që kërkonim. Është perfekt për ne, si lojtar dhe njeri", tha ai në një mesazh botuar në faqen zyrtare të Bayern.
"Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Bayern tani. Është një prej klubeve më të mëdhenj në botë dhe unë gjithmonë kam dashur të provoj veten në nivelet më të larta", tha vetë Kane gjatë prezantimit.
Kapiteni i Anglisë do të mbajë numrin 9 në fanellë dhe pritet që të plotësojë boshllëkun e lënë në skuadër pikërisht nga njeriu që mbante më parë këtë numër, Robert Lewandowski.
Kane ka shënuar 280 gola në 435 ndeshje zyrtare për Tottenham dhe 58 gola në 84 ndeshje për Anglinë.
Ai raportohet t'i ketë kushtuar Bayern-it 100 milionë euro plus 20 milionë të tjera në formën e bonuseve. (A2 Televizion)