Merita Toska, eksperte për financat vendore, e ftuar në “A2Business” nga Aurora Sulçe, u shpreh se ka shumë arsye se përse bashkitë nuk po arrijnë të menaxhojnë dot burimet e veta.
Sipas Toskës, nisur nga struktura, bashkitë vijojnë të jenë shumë të varura nga fondet e transferuara nga qeveria qendrore dhe ky është një instrument, i cili bën që bashkitë në vetvete, të mos kenë atë autonominë e duhur për të ushtruar funksionet dhe kompetencat që i janë përcaktuar me ligj
Pse bashkitë nuk po arrijnë të menaxhojnë dot veten?
Arsyet janë të shumta dhe nuk mund të përkufizohen vetëm në një të tillë. Nisur nga struktura, bashkitë vijojnë të jenë shumë të varura nga fondet e transferuara nga qeveria qendrore dhe ky është një instrument, i cili bën që bashkitë në vetvete, të mos kenë atë autonominë e duhur për të ushtruar funksionet dhe kompetencat që i janë përcaktuar me ligj.
A ka dështuar objektivi kryesor i reformës administrativo – territoriale, ajo për decentralizimin fiskal?
Ndoshta nuk mund të themi që ka dështuar, por ndoshta mund të themi që nuk është arritur ajo që është synuar. Ne sot sërish mbetemi në raportin që 30 për qind e të ardhurave nga burimet e veta vendore gjenerohet nga vetë bashkitë, ndërkohë që 70 për qind vijon të gjenerohet nga transfertat ndërqeveritare. Synimet e reformës ishte që ky raport të përmbysej, pra bashkitë të ishin të afta që të siguronin sa më shumë burime financiare nga burimet e veta, për të qenë të pavarura në vendimmarrjen e tyre. (A2 Televizion)