Transporti dhe pushimet verore, Prengaj: Rënia e karburanteve nuk do të ulë paketat turistike

Nga A2 CNN
9 Maj 2023, 14:22 | Ekonomi
Transporti dhe pushimet verore, Prengaj: Rënia e karburanteve nuk do

Rënia e kostos së transportit, apo stabilizimi i çmimeve të tjera nuk do përkthehet në paketa më të lira turistike këtë sezon veror. Përkundrazi, turistët të cilët dëshirojnë të udhëtojnë me guidat turistike për të vizituar Shqipërinë, do të përballen me çmime deri në 20% më të larta.

“Rritja e çmimeve për këtë sezon krahasuar me sezonin e kaluar po shkon 20% më shtrenjtë për shkak të akomodimit të ushqimeve, por dhe rritjes së pagave. Ne parashikojmë një rritje të lehtë të çmimeve këtë vit, edhe nëse tashmë është ulur nafta krahasuar me vitin e kaluar, por çmimet janë të larta në çdo sektor për shkak të inflacionit dhe shumë ndikuesve të tjerë", shprehet Frenkli Prengaj, tur-operator.

Përballja me çmimet e larta të karburanteve një vit më parë i stepi veçanërisht turistët vendas, por sipas operatorit turistik, Frenkli Prengaj, ky hezitim pritet të zhbëhet.

“Për udhëtime njëditore nuk vihen re shumë, por udhëtime mbi dy ditë ku zëri kryesor i kostove të turit është transporti, ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe pamë që kishte një frenim të lehtë, por mendojmë se do të kapërcehet pasi u mësuam me çmimet, por lufta apo pandemia i bëri turistët të kishin një stepje, por vitet e tjera parashikojmë një rritje."

Në kulmin e një krize botërore të çmimeve, oferta e lirë e Shqipërisë po josh shumë të huaj, arsye që po ndikon në një bum prenotimesh.

"Shikojmë që trendi është tek një rritje të lehtë kjo dhe për faktin se turistët e huaj thonë se çmimet janë shumë të lira këtu, për grupet shqiptare nuk është shumë pozitive, por po shkojmë drejt një tregu global.”

Rezervimet sipas agjencive turistike kanë shënuar një rritje 20%, krahasuar me një vit më parë. Interesi i turistëve për sezonin veror 2023 ka filluar gjithashtu më herët, që në muajt prill e maj.

https://a2news.com/2023/05/08/veliaj-me-operatoret-turistike-na-votoni-qe-tua-kthejme-dyfish-me-investime/
https://a2news.com/2023/03/21/sezoni-ne-vlore-operatoret-turistike-te-zhgenjyer-nga-premtimet/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli