Gerard Depardieu rreh “Mbretin e Paparacëve” në Romë

Nga A2 CNN
21 Maj 2024, 19:08 | Showbiz

Gerard Depardieu rreh “Mbretin e Paparacëve” në Romë

Aktori i njohur francez është rikthyer në qendër të vëmendjes, këtë herë në Itali, ku është përfshirë në një përleshje fizike, me shkëmbime grushtesh, me një fotoreporter të njohur vendas.

Gjithçka ka ndodhur në Romë, teksa aktori me famë botërore ishte duke drekuar me miqtë e tij në “All'Harry's Bar”, kur Rino Barillari, i njohur ndryshe si “Mbreti i Paparacëve”, iu afrua tavolinës dhe nisi të bënte disa foto.

Shoqëruesja e aktorit 75 vjeçar tentoi të pengonte fotografin, teksa Depardieu u ngrit në këmbë dhe e goditi tri herë me grushte Barillin, i cili përfundoi në tokë.

I pyetur nga mediat italiane, Rino Barillari u shpreh se kishte shkuar në lokalin e njohur dhe kishte gjetur aktorin e madh me një vajzë të re, shumë të bukur, e cila ishte munduar që ta ndalonte të bënte foto.

“Vajza më hodhi disa kuba akulli. Është diçka normale, pasi të gjithë të famshmit krijojnë skena të tilla. Por nuk e prisja atë që ndodhi më pas. Depardieu më ndoqi nga pas e më tha “m..t”. Bëra një hap pas dhe i qesha. Por ai më goditi tre herë dhe më rrëzoi përtokë. Më dhemb e gjithë ana e djathtë e fytyrës”, rrëfen fotografi.

Më pas, ai u largua nga ambientet e lokalit së bashku me menaxharin, për të lajmëruar më pas ndihmën e shpejtë dhe policinë.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi