Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e gjykatës që dënoi për shpifje ish-deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Gjykata e Tiranës gjobiti me 50 mijë lekë Tabakun për “shpifje” ndaj kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Sipas vendimit të gjykatës, Tabaku duhet të dëmshpërblejë Veliajn në lidhje me një deklaratë publike të dhjetorit 2018, ku pretendonte se kryebashkiaku kishte ndryshuar planin urbanistik të një rruge të Tiranës për pallatet e një trafikanti droge.
Me anë të një postimi në Twitter, Rama u shpreh: "Shpif e gënjen njësoj si shokët, besnikërisht ndaj prioritetit nr.1 të programit të PD: SHPIF SHPIF SE DIÇKA MBETET! Ju informoj se një varg gjyqesh vazhdojnë në adresë të asaj shoqate shpifësish, që në gjykatë s’kanë kurrë prova po veç kërkesa për shtyrje".
Ndërsa vetë Jorida Tabaku, me anë të një postimi në Facebook, tha se vendimi është marrë pas presionit politik që i bëhet gjyqtarëve që presin të kalojnë vetting-un.
“Ditën e sotme gjykata e shkallës së parë nën presionin e një vettingu që po bëhet gjithnjë e më partiak, siç edhe Komisioni i Venecias e vërtetoi, mori një vendim në kundërshti me provat dhe faktet që tanimë janë botërisht të njohura", shkruan Tabaku.
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pasi kryeministri Edi Rama tha se shpifja është prioriteti nr.1 i programit të PD-së, duke iu referuar gjyqit Veliaj-Tabaku.
“Babëzia, arroganca dhe shpifja janë trinomi i pandarë i RAMAVIRUSIT që prej 7 vitesh i ka shtyrë shqiptarët drejt shpunësimit, varfërisë dhe krizës. Asnjë marionetë e RAMAVIRUSIT nuk e fsheh dot hajdutërinë e tij në bashkëpunim me trafikantët e drogës tek afera e Astirit. E vërteta e vetme e këtij KM dhe bufonëve të tij është plaçkitja e shqiptarëve për interes të banditëve dhe oligarkëve të tij. Këtë të vërtetë që i madh e i vogël e di dhe e ka provuar në kurriz, nuk e fshehin dot më as gjyqtarët e korruptuar dhe as regjia e propagandës së lodhur. Këto të vërteta dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve kundër mjerimit ekonomik dhe padrejtësive të RAMAVIRUSIT, do ta largojnë shumë shpejt këtë bandë dhe drejtësia e pavarur do t’u japë ndëshkimin e merituar me ligj për krimet, varfërimin dhe zhvatjen e shqiptarëve dhe Shqipërisë”, shkroi Basha në Twitter. (A2 Televizion)