Në përvjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit, Bashkimi Europian jep mesazhin e rëndësishëm për Shqipërinë. Përfaqesuesja e BE-së në Tiranë thekson se autorët e krimeve të komunizmit duhen gjetur dhe vënë para përgjegjësisë.
Kujtesa e ndihmon një popull të shërohet, thotë diplomatja Christine Hohmann, e rritur në Gjermaninë Lindore: “Kujtesa e ndihmon një popull të shërohet. Duhet të gjenden dhe të vihen para përgjegjësisë autoret e krimeve të komunizmit. Në komunizëm shoqëria u nda mes atyre që e mbështetën dhe atyre që vuajtën pasojat. Kemi ende traumën e një shoqërie që nuk bashkohet. Një trashëgimi e rëndë për Shqipërinë. Vetë BE ishte një projekt për të ruajtur paqen. Dhe kjo është diçka që zgjidhet me pajtim, por pajtim do të thotë të marrim hapa juridik për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët. Është e rëndësishme të flisni me njëri-tjetrin. Dialogu është elementi thelbësor për ta çuar shoqërinë përpara”.
Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë kërkoi mbështetjen e politikës për ngritjen e një memoriali në Tiranë për viktimat e komunizmit.
Ditët e kujtesës do të vijojnë deri në fund të shkurtit me konferenca, ekspozita dhe dëshmi nga personazhe që kanë vuajtur dënimet e diktaturës. (A2 Televizion)