Burrat më të paguar se gratë, ekspertët tregojnë zgjidhjen

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2022, 20:23 | Ekonomi
Burrat më të paguar se gratë, ekspertët tregojnë

Në tregun e punës janë të aktivizuar 12% më shumë burra sesa gra, ndërkohë që diferencim vihet re edhe në pagat e tyre, ku meshkujt paguhen më shumë se femrat. Për këtë temë ndanë mendimet e tyre në A2 Business eksperti i tregut të punës Dritan Mezini, kryetarja e Dhomës Ekonomike të Gruas Antonela Hako dhe biznesmenia Donika Mici.

Për Mezinin, problematika qëndron që në edukim, por zgjidhja sipas tij është aftësimi dhe trajnimi i grave në profesionet që kërkohen dhe në risitë e tregut.

“Ky është një problem global, ky diferencim mes pagesës së grave dhe burrave. Ky është një fenomen i mirënjohur, por tani është bërë më shqetësues. Mundësia që gratë të aftësohen në disa profesione të kërkuara në treg është zgjidhja që mund të ndihmojë disa biznese sot. Shumë punë tani me pandeminë kryen nga shtëpia. Janë shfaqur shumë profesione të reja ku mendoj që gratë duhet të informohen dhe të aplikojnë dhe të trajnohen. Në këtë drejtim u duhet dhënë kjo mundësi me këto risitë e reja të tregut të punës. Kompanitë nuk po bëjnë ndonjë diskriminim. Problematika vjen që në edukim, se numri i vajzave në shkencë e teknologji është me i vogël. Të ulet diskriminimi në përzgjedhjen e degëve se gratë janë po aq të zonjat sa meshkujt dhe në shkenca kompjuterike. Sot i mirë është ai person i cili është i pajisur me aftësi pavarësisht nga gjinia”.

Kryetarja e Dhomës ekonomike të gruas theksoi se gratë janë më produktive se burrat dhe sipas saj në vendin tonë paguhen më mirë, mjaftojnë që të përmbushin kriteret e arsimimit.

“Mospërfshirja e grave është historike si pasojë e tranzicionit se u mbyllën ndërmarrjet dhe hov mori ndërtimi ku meshkujt janë forca që i duhet këtij sektori, falë industrisë prodhuese dhe fasonerisë filloi përfshirja e grave. Gratë kanë filluar të shkëputen nga degët që janë privilegj i djemve. Po shohim tendencë në rritje të kërkesës për këto degë që kanë qenë atribut i burrave. Sa i takon diferencimit të pagës është globale, por në Shqipëri nuk ka të tilla diferencime, madje gratë janë aq produktive që paguhen dhe më mirë se burrat. Mjafton që të përmbushin kushtin e arsimimit”.

Të njëjtin mendim ndau edhe Donika Mici, sipas të cilës në sektorin e saj gratë janë më të paguara dhe vlerësuara.

“Në fashën ku punoj gratë janë më të paguara e vlerësuara se burrat, janë më produktive se burrat. Duhet të ketë diferencim mes burrave e grave në sektorë të ndryshëm”.

Mici dhe Hako theksuan gjithashtu se sot gratë e kanë më të lehtë të bëjnë biznes sesa në vitet ’90, për shkak edhe të favorizimit nga teknologjia.

“Sot të bësh biznes është njësoj të bëjë biznes si femrat e meshkujt, por në kohën kur e kam nisur unë ka qenë shumë e vështirë. Për një grua sot është njësoj sipër një burrë. Në përgjithësi dominojnë burrat si lider në biznes dhe politikë dhe kjo është globale. Meshkujt kanë të njëjtën gjuhë maskiliste prandaj dominon në të gjithë botën, femrat janë gjithnjë më luftëtare dhe me mendimet më të mira, por janë pas perdes”, tha Mici.

“Tani është me thjeshtë të bërit biznes, tani janë të gjitha kushtet. Duhet dëshira për të punuar dhe ngritur profesionalisht dhe për të mos mbetur në hije, dëshira për të marrë përgjegjësi”, tha Hako.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024