
Këshilli Kombëtar i Punës miratoi të premten strategjinë kombëtare të punësimit dhe aftësive, dokumentit që do të përdoret si pikë referimi për veprimet që duhen ndërmarrë në tregun e punës.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dha garanci përpara përfaqësuesve të punëdhënësve dhe punëmarrësve se ky dokument nuk do të mbesë në letër.
“Vjen e shoqëruar me një plan veprimi konkret, synon të adresojë sfidat e momentit dhe të ardhjes, prek 7 vitet e ardhshme”, deklaroi aty ministrja.
Ibrahimaj njoftoi edhe krijimin e një grupi të posaçëm për të adresuar nevojat në fushën e bujqësisë.
“Kemi vendosur krijimin e disa komiteteve sektoriale për një diskutim më të thellë, kemi përgatitur Komitetin e Turizmit dhe IT, dhe mendojmë së shpejti atë për Bujqësinë”, shtoi Ibrahimaj.
Nisja e mbledhjes u shoqërua edhe vërejtjet e presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj.
Ndër propozimet e sindikatave, ishte edhe përcaktimi i një minimumi jetik, nismë e cila është depozituar edhe në KQZ pas mbledhjes së rreth 21 mijë firmave të qytetarëve. (A2 Televizion)