Ajo që ka çuar në largimin e Lorenc Panganikës nga posti i drejtorit të Policisë së Tiranës dhe zëvendësimin e tij me Tonin Vocajn, është ngjarja që ndodhi në bulevard më 6 dhjetor, kur u sulmua kreu i opozitës Sali Berisha. Këtë mendim ndau në studion e Debatit në A2 CNN eksperti i sigurisë Fation Softa, sipas të cilit kjo ngjarje është e pafalshme për policinë. Softa thekson se Policia duhet të bashkëpunonte me organizatorët e protestës dhe të kishte plan mbështetës të sigurisë.
“Ajo që e ka goditur Panganikën ka qenë ngjarja në bulevard, ajo që ndodhi në 6 dhjetor. Është goditja e liderit të opozitës në bulevard. Nuk mund ta imagjinoj dot që policia e shtetit të mos kishte punonjësit e saj brenda turmës dhe jashtë saj edhe të kamulfuar. Duhet të ishte bashkë me organizatorët dhe të hartonin një plan mbështetës në funksion të sigurisë së mitingut dhe mos krijoheshin probleme, duhet të kishte informacione nga SHISH duhet të ishte evituar mbrojtja dhe siguria e zotit Berisha dhe e kujtdo. Mungesa e Policisë e rëndon dhe e bën të pafalshme, kur goditen liderët”,
Sipas Softës, ruajtja e qetësisë nga ana e liderit demokrat shmangu daljne nga kontrolli të situatës në protestë.
“Berisha ruajti qetësinë dhe u shmangën situata të pakëndshme, duhet të kishte një perimetër sigurie. Ishin 1500 forca policie, ajo që mungonte ishte atje ku priteshin ngjarje. Shqipëria është në një situatë që jemi të kërcënuar nga Irani, Rusia dhe ngjarjet në Serbi. Duheshin masa të forta sigurie e parandalim. Nënvleftësim ose mungesë eksperience. Të menaxhosh një situatë të madhe si samiti dhe të lësh të izoluar pjesën që mund të kishte probleme dhe duhet të kishte informacione të marra nga burime të brendshme. Trazirat nuk varen nga organizatorët, por nga faktorë të tretë”. (A2 Televizion)