Mbretëresha Elizabeta e Dytë, që ndërroi jetë vitin e kaluar, lë sërish në hije të birin. Ceremonia e Kurorëzimit të Charles III mbret është ndjekur nga rreth 15 milionë teleshikues në kanalin BBC One dhe Two.
Këtë e konfirmoi vetë gjiganti televiziv publik në Mbretërinë e Bashkuar. Shifra është konsiderueshëm më e ulët krahasuar me 20 milionë teleshikues që ndoqën funeralin e mbretëreshës Elizabeth II të transmetuar në BBC.
Në garën e krahasimeve, sa i përket interesimit publik, Kurorëzimi i mbretit Charles III, ishte më pak i ndjekur edhe se dasma e djalit të tij më të madh. Sipas shifrave zyrtare celebrimi i dashurisë mes princit William dhe Kate Middleton, pati një shikueshmëri prej 20 milionë teleshikuesish. Eventi i tyre u mbajt në Abacinë e Westminister.
Ndërkohë, gjatë eventit të kurorëzimit nuk kanë munguar as momentet pikante, apo që kanë ngjallur polemika si vetmia e Princit Harry, por edhe urimi i Mbretit të Britanisë së Madhe për nipin e tij Archie, që pati datëlindjen në të njëjtën ditë kur Charles III vuri kurorën mbi kokë. (A2 Televizion)