"Gratë largohen nga puna kur ngelin shtatzënë", Mici: Rrogën ua kompensojnë burrat në emigrim

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2022, 21:06 | Ekonomi
"Gratë largohen nga puna kur ngelin shtatzënë", Mici:

Pas pandemisë ka pasur rrjedhje të fuqisë punëtore te nënat e reja, për shkak emigrimit masiv të meshkujve, gratë qëndrojnë në shtëpi. Në këtë përfundim ka arritur përfaqësuesja e biznesit Donika Mici, e cila theksoi në A2 Business se gratë ose nuk kthehen më fare në punë, ose kthehen kur fëmijët e tyre arrijnë moshën deri 3 vjeç, pasi pagën mujore ua kompensojnë burrat që kanë në emigrim

“Punonjësit e mi mundohen që fëmijë ta çojnë deri 3 vjeç duke qëndruar në shtëpi, sepse burrat e tyre punojnë jashtë dhe u sjellin të ardhura, nuk preferojnë më si dikur, më parë punonjësit për 5-6 muaj e çonin në çerdhe, para pandemisë. Sot nuk iu intereson duke qenë se emigrimi është shumë i madh dhe burrat e tyre janë larguar në Europë për një jetë më të mirë, këtë kompensim të kësaj rroge 500 euro në muaj ua sjellin burrat. Kjo ka qenë pengesë e madhe, kemi rrjedhje të fuqisë punëtore te të rejat kur ngelin shtatzënë. Ato që kanë nevojë e çojnë në kopsht, por shumica nuk kthehen fare ose rrinë deri 3 vjet”.

Duke sjellë shembullin e modelit zviceran për kopshte dhe çerdhe pranë ambienteve të bizneseve, kryetarja e Dhomës ekonomike të Gruas Antonela Hako njoftoi projektin që është në diskutim për këtë çështje. Ndërkohë që Mici theksoi se ky projekt i realizuar në sektorin ku ajo operon ka rezultuar i suksesshëm.

“Ne jemi pjesë e një projekti gjithëpërshirës ku njëra nga të cilat është dhe kjo që po diskutojmë. Një propozim që kemi bërë ne në kuadër të këtij projekti, që për një sipërfaqe katrore ku jemi shumë biznese, mund të ndërtohet një çerdhe ose kopsht nga bashkia dhe pastaj bizneset të investojë për ta mbajtur në funksion të të gjitha nënave që janë me gjidhënie. Të jetë një godinë ku një numër biznesesh të investojnë dhe kjo është produktive dhe një mjet transporti. Zonjat janë afër fëmijëve, sepse sado që kompanitë u sigurojnë transportin distancat janë të mëdha, nuk është njësoj shërbimi”, tha Hako.

“Në sektorin tonë është tejkaluar. Ka shumë fabrika qëjanë kopshte pranë dhe i financojnë me lekët e tyre. Ka vite që përdorin këtë sistem dhe ka pasur rezultat. Një skemë që funksionin. Unë mendoj që gjithë këto para që hidhen për nxitje punësimi duhen studiuar mirë nga institucionet shtetërore duke iu dhënë një bonus këtyre nënave për të përballuar shpenzimet”, tha Mici.

Ndërkohë Dritan Mezini theksoi se kompanitë janë ndërgjegjësuar në lidhje me nënat me fëmijë, duke iu krijuar kushte komode pune. Ai sugjeron se marrja e rolit nga ana e babait lehtëson gruan dhe krijon mundësinë që gratë të jenë forca të domosdoshme në tregun e punës.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli