Rumania dhe Turqia rrëmbejnë trofetë e beach volley në Pogradec. Dyshja e vajzave rumune dhe dyshja e djemve turq janë fituesit e kampionatit ballkanik të volejbollit të rërës në qytetin e Pogradecit. Ky kampionat i këtyre përmasave u rikthye në Pogradec pas më shumë se 20 vitesh, duke sjellë 3 ditë sportive me adrenalinë, garë të fortë dhe mbi të gjithë duke mbledhur sportdashës të shumtë nga gjithë Shqipëria.
Dy vajzat fituese nga Rumania treguan emocionet pas garës ndërsa shpresojnë se ky nuk do të jetë turneu i fundit në Shqipëri.
“Jemi shumë të lumtura që fituam këtë trofe. Kemi punuar shumë për të marrë këto medalje dhe për të fituar këtë turne. Po ishte e vështirë pasi kishte konkurrence, por ishim të sigurta se mund t’ia dilnim”.
“Edhe unë jam e lumtur pasi është hera ime e tretë që shpallem kampione Ballkani dhe gjithë sakrifica, punë jonë është shpërblyer. Këtu është bukur, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe organizimi ishte deri në detaje. Faleminderit për të gjithë”.
Ky është kampionati i parë që zhvillohet në Pogradec pas marrëveshjes së përbashkët që ka nënshkruar FSHV dhe Bashkia e qytetit, për të vijuar me të tjera kampionate në të ardhmen, pasi të ketë përfunduar rikonstruksioni i pallatit të ri i lojërave me dorë. (A2 Televizion)