Klubi i kategorisë së shtatë kërkon të huazojë Haaland-in

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2022, 09:32 | Futboll
Klubi i kategorisë së shtatë kërkon të huazojë

Një klub anglez i kategorisë së shtatë ka marrë guximin të kërkojë në huazim yllin e Manchester City-t, Erling Haaland. Drejtuesit e Ashton United, skuadër që luan në Northern Premier League Premier Division, beson se mund të ishte ide e mirë që norvegjezi të mbajë veten në formë duke luajtur për ta, pasi nuk do të jetë në Kupën e Botës në Katar që nis të dielën.

Haaland kaloi nga Borussia Dortmund te Manchester City këtë sezon dhe deri tani ka shënuar 18 gola në 13 ndeshje. Por kombëtarja e tij nuk arriti të kualifikohej për në Botëror.

“Gushëkuqët”, siç është nofka e klubit të vogël në periferi të Mançesterit, publikuan një deklaratë zyrtare: “Mund të konfirmojmë se kemi dërguar një kërkesë për huazimin 28-ditor të sulmuesit të Manchester City-t, Erling Haaland. Duke qenë se kampionët e Anglisë nuk luajnë deri në fund të dhjetorit për shkak të Botërorit, u kemi bërë thirrje fqinjëve tanë në “Etihad” që të na huazojnë lojtarin, në mënyrë që të ruajë formën fizike”.

Trajneri i klubit, Michael Clegg, beson se transferimi provizor ka kuptim, pasi do të ndihmonte sulmuesin. “City nuk luan dhe ne duam ta mbajmë Erling-un në formë, më mirë të luajë me ne, sesa të luajë golf për gjashtë javë”.

City - që sigurisht as nuk ka kthyer përgjigje - ka vendosur që lojtarët të cilët nuk do të jenë në Katar, gjithsesi do të qëndrojnë në Lindjen e Mesme, pasi do të marrin pjesë në grumbullimin stërvitor në Abu Dhabi. Por Haaland nuk do të jetë me shokët e skuadrës, pasi do të marrë pjesë në dy ndeshje miqësore të Norvegjisë, kundër Irlandës dhe Finlandës. Pas atyre ndeshjeve, sulmuesi do të marrë 3 javë pushim. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/10/11/zemer-lope-melci-dhe-uje-i-filtruar-haaland-merr-6000-kalori-ne-dite/
https://a2news.com/2022/10/25/golashenuesi-me-i-mire-ne-bote-eshte-norvegjez-por-nuk-eshte-haaland/

A2 CNN Livestream

Latest Videos