Gjyqtarja, Mimoza Margjeka, është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, këtë të shtunë, pasi akuzohet për marrje ryshfeti për lirimin e një të burgosuri për 6000 euro.
Në arrest shtëpie, duke ndryshuar pretendimin e Prokurorisë, u lanë edhe bashkëshorti i saj, Arben Cara, dhe avokati Skënder Demiraj, të cilët akuzohen gjithashtu si të përfshirë në këtë rast korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Para seancës, mes Margjekës dhe efektivëve të Policisë që e shoqëronin ka pasur debate dhe tension.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e arrestoi gjyqtaren dhe bashkëshortin e saj më 9 shtator, bashkë me avokatin Demiraj dhe 2 persona të tjerë. Sipas SPAK, Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë dhënë gjyqtares, përmes bashkëshortit, 6 mijë euro me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj Orion Balit, i arrestuar për trafik klandestinësh. Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, për Balin, pretendon SPAK.
(A2 Televizion)