Grindja me amerikanët i dëmton interesat e Kosovës. Kështu shprehet ish-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Daniel Fried, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, SHBA nuk ka qenë kurrë kaq e zemëruar me Qeverinë e Kosovës dhe një gjë e tillë është “mjaft shqetësuese”.
“Kurti e ka bërë Presidentin e Serbisë të duket empatik. Nuk kam menduar se kjo është e mundur, marrë parasysh se serbët janë burim i problemit, sepse janë ata që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe refuzojnë ta njohin realitetin se Serbia nuk do ta ketë më kurrë. Por, pavarësisht kësaj, Kurti ka arritur t’i dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në për asnjë interes që unë mund ta identifikoj. Është mjaft shqetësuese. Unë nuk e kam parë kurrë qeverinë amerikane kaq të zemëruar me qeverinë e Kosovës.”
Ish-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Daniel Fried
Diplomati amerikan thotë se Kryeministri Albin Kurti dhe ekipi i tij “e kanë marrë si të mirëqenë mbështetjen amerikane. Sipas tij, ata kanë abuzuar me besimin amerikan në atë mënyrë qe do të jetë e vështirë për ta rregulluar.
“Është e qartë që Kosova është duke i injoruar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe duke vepruar në një mënyrë që ne nuk e inkurajojmë. E përsëris, burimi afatgjatë i problemit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi vjen nga Beogradi, nga revanshizmi serb, ndërsa Kurti ka arritur të grindet me SHBA-në. Grindja me amerikanët i dëmton interesat e Kosovës në atë mënyrë që unë s’e kuptoj. Unë nuk e di se çfarë ka menduar Kurti.”
Ish-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Daniel Fried
Ish-ndihmës Sekretari i Shtetit sugjeron që Kurti të bëjë menjëherë një hap prapa dhe të gjejë një mënyrë për të riparuar raportet me SHBA-në. Çdo drejtim tjetër sipas tij, do të bëhej shumë i kushtueshëm.
Reagimi vjen pas kritikave të ashpra që bëri i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në adresë të Kurtit, të cilin e fajësoi për mungesë bashkëpunimi në ç’tensionimin e situatës në veri të Kosovës. (A2 Televizion)