Mbi 860 mijë shqiptarë janë në moshë pune, por nuk marrin një rrogë, një pjesë janë dekurajuar

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2022, 16:01 | Aktualitet

Nevoja nga shtrenjtimi i jetesës dhe joshja nga pagat disi më të larta, po motivojnë ata në moshë pune, por që nuk janë pjesë e tregut.

Më shumë të rinj që ndjekin paralelisht studimet, gra që rrisin fëmijë apo të tjerë të dekurajuar po trokasin dyerve të sipërmarrjeve me qëllim sigurimin e një rroge. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i personave joaktivë ra në rreth 859 mijë në 3-mujorin korrik- shtator nga mbi 932 mijë që ishte në po të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, numri i atyre që nuk janë ende të bindur për të kërkuar një vend pune vijon të mbetet i lartë. Mungesa e meritokracisë dhe sistemit të vlerësimit, sipas tyre janë arsyet që po i mbajnë ata larg tregut të punës.

“Për momentin tregu i punës ka shumë punë që të ofron nëse s’ke një mik ose dikë që të përkrahë që të gjesh një punë me rrogë mesatarisht të mirë”, thonë të rinjtë.

Për motivimin dhe përfshirjen e kësaj kategorie, për ekspertë të tregut të punës lipset nevoja e ndërhyrjes nga institucionet.

“Mbetet detyrë primare e institucioneve shtetërore që duhet të analizojnë situatën dhe numrin e këtyre të papunëve dhe të shohin hapësira për integrimin e tyre në tregun e punës”, u shpreh ekspertja e tregut të punës Esmeralda Ymerali.

Dhe kjo ndërhyrje duhet të jetës sa më e shpejtë me qëllim që dekurajimi të mos kthehet në humbje përfundimtare besimi.

 “Të qenit të papunë për një periudhë të gjatë kohore kthehet në boomerag për punëkërkuesit se e gjen të vështirë për të kapur tregun e punës humbet vetëbesimi”, thotë ekspertja Ymerali.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se pjesa më e madhe  qytetarëve në moshë pune, por që nuk marrin një rrogë jetojnë në Lezhë, ndjekur nga Dibra, Tirana, dhe Kukësi. Elbasani, Shkodra dhe Korça janë qarqet me numrin më të ulët të popullsisë joaktive.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi