
Renald Bejtja nga kryeqyteti u shpall kampion absolut në kampionatin kombëtar “Natyral Bodybuilding” që u zhvillua në qytetin e Gjirokastrës.
Bejtja ushtron këtë sport prej 16 vitesh, ndërsa i emocionuar thotë se ky titull erdhi si një shpërblim për punën, mundin dhe sakrificat ndër vite, ndërsa zbulon se së shpejti do të konkurrojë edhe në kampionatin që do të zhvillohet në Las Vegas.
“Është emocion i madh. Jam stërvitur shumë dhe kam hequr dorë nga koha ime. Por, dhimbja dhe lodhja gjatë sërvitjes bëri që të marrë kupën. Do të marr pjesë edhe në eventin kulmor, që do të mbahet në Las Vegas”, tha Bejtja.
Ky ishte kampionati i shtatë kombëtar ku 5 prej të cilëve janë zhvilluar në Gjirokastër, e për këtë organizatori Nikollaq Muço, shprehet se ky aktivitet nuk do të jetë i fundit.
Por, çfarë do të thotë “Natural Bodybuilding” dhe si përzgjidhen pjesëmarrësit?
“Të mos marrësh steroide. Ato janë të dëmshme nëse merren për të zhvilluar trupin”, tregon Muço.
Në këtë kampionat morën pjesë rreth 20 sportistë nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët performuan dhe garuan në kategori të ndryshme. (A2 Televizion)