
Mjeti më efikas për të luftuar varfërinë te të moshuarit mbetet përmirësimi i pagesës së pensioneve. Në këtë përfundim arrin Organizata Ndërkombëtare e Punës në një studim të fundit, e cila këshillon se kjo mund të arrihet vetëm duke marrë një seri masash që përfshijnë një reformë në tregun e punës.
Vetë pensionistët, teksa artikulojnë nevojën për rritje të pagesës së pensioneve, thonë se ajo çka marrin nuk ju mjafton për të mbuluar kostot e jetesës. Të tjerë, ndonëse përfitues të një vlere më të lartë nga pensioni, shtojnë që për të përballuar shpenzimet, ndonjëherë duhet t’u drejtohen familjarëve të tjerë.
Ndonëse pritshmëritë e qytetarëve dhe sugjerimet e institucioneve ndërkombëtare orientojnë qeverinë drejt rritjes së pensioneve, e kundërta ndodhi vitin e shkuar. Pensioni mesatar në qytet në vitin 2020 shënoi ulje me 3.2 për qind, për herë të parë që nga viti 2000, kur edhe ekzistojnë të dhënat zyrtare. (A2 Televizion)