Publikohet dokumenti, BE sanksionoi Vuçiçin në vitin 1999

Nga A2 CNN
30 Janar 2023, 15:02 | Ballkani
Publikohet dokumenti, BE sanksionoi Vuçiçin në vitin 1999

Bashkimi Europian ka sanksionuar Aleksandër Vuçiç në vitin 1999 për mbështetjen e regjimit të Millosheviçit për kryerjen e spastrimit etnik dhe gjenocidit në Kosovë. Kjo është bërë e ditur nga një këshilltar i kryeministrit të Kosovës, që e mbështeti pretendimin e tij dhe me fakte konkrete.

“Në vitin 2023 Miroslav Lajçak pret nga i njëjti person që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia duhet të ndryshojë, duke filluar nga kushtetuta e saj”, tha Jeton Zulfaj.

Në kohën kur ishte lëshuar dokumenti i BE-së me emrat e të sanksionuarve, Vuçiç ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Millosheviçit. Ai tashmë është president i Serbisë, dhe mund të përballet me reagime të ashpra pasi pranoi propozimin europian si kornizë të re negociuese për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kështu raporton Zëri i Amerikës bazuar në mendimet e disa ekspertëve serbë të zhvillimeve politike. Ata pohojnë se reagimet janë pasojë e retorikës antiperëndimore dhe nacionaliste të përdorur prej vitesh nga vetë presidenti serb. 

“Situata në të cilën është tani zoti Vuçiç është një lloj bumerangu. Atmosfera dhe mjedisi, që në masë të madhe është krijuar nga vetë zoti Vuçiç, e armiqësoi Serbinë me Perëndimin dhe tani është vetë ai që duhet të merret me këtë problem. Mendoj se kjo mund të jetë e rrezikshme”, thotë analistja Maja Pishçeviç.

“Anëtarët e partisë së tij dhe këtu po flas për 700 000 anëtarë, që presidenti e përmend shpesh me krenari, tani janë në gjendje shoku dhe të hutuar: si ka mundësi që ai i cili u mësonte atyre se Kosova është pjesë e Serbisë, tani po ndryshon politikën e tij. Atij do t’i duhet kohë për të qetësuar këtë gjë. Nëse ai nënshkruan marrëveshje për Kosovën, kjo do të ishte një lloj drejtësie kozmike që ai i cili aktivisht e krijoi problemin e Kosovës, tani duhet ta zgjidhë atë”, thotë Boshko Jakshiç, gazetar në Serbi.

Të dy ekspertët pajtohen se Vuçiç është një figurë e fuqishme politike në Serbi dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Kosovën do ta nxirrte atë fitues në nivel ndërkombëtar.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024