Putin “nxjerr asin nën mëngë”, anijen më moderne me raketa hipersonike

Nga A2 CNN
4 Janar 2023, 16:57 | Bota

Presidenti Vladimir Putin nxori në oqeanin Atlantik anijen më të fundit të flotës ruse, frigatën e pajisur me raketa hipersonike, një sinjal drejtuar Perëndimit se, Rusia nuk do të bëjë hapa prapa në atë që Moska zyrtare e quan “operacioni special ushtarak” në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi më vonë pamjet që tha se ishte frigata e armatosur me raketa hipersonike Zircon duke u larguar nga një bazë detare ruse në qytetin verior të Severomorsk në rajonin Murmansk.

Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë në një garë për të zhvilluar armë hipersonike, të cilat shihen si një mënyrë për të fituar një avantazh ndaj çdo kundërshtari për shkak të shpejtësisë së tyre, mbi pesë herë më shumë se shpejtësia e zërit, dhe manovrimit.

Në një video-konferencë me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Igor Krokhmal, komandant i frigatës së quajtur "Admirali i Flotës së Bashkimit Sovjetik Gorshkov", Putin tha se anija ishte e armatosur me armë hipersonike Zirkon (Tsirkon).

"Jam i sigurt se armë të tilla të fuqishme do ta mbrojnë Rusinë me siguri nga kërcënimet e jashtme të mundshme. Armët nuk kanë analoge në asnjë vend të botës".

Presidenti rus, Vladimir Putin

Kur ka kaluar më shumë se 10 muaj që kur Putini dërgoi trupat në Ukrainë, nuk i duket fundi "operacionit special ushtarak", i cili ka zhytur në një betejë të rëndë artilerie, që ka vrarë dhe plagosur dhjetëra mijëra ushtarë nga të dyja palët. Rusia ka përdorur gjithashtu raketa hipersonike Kinzhal (Dagger) në Ukrainë.

Një raport i Shërbimit Kërkimor të Kongresit të SHBA për armët hipersonike thotë se raketat hipersonike ruse dhe kineze janë projektuar për t'u përdorur me koka bërthamore. Objektivi i një arme hipersonike është shumë më i vështirë për t'u llogaritur sesa për raketat balistike ndërkontinentale për shkak të manovrimit të tyre.

Përtej Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, një sërë vendesh të tjera po zhvillojnë armë hipersonike duke përfshirë Australinë, Francën, Gjermaninë, Korenë e Jugut, Korenë e Veriut dhe Japoninë, sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit të SHBA.

https://a2news.com/2021/02/15/arma-me-e-frikshme-amerikane-ne-paqesor/

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024