Sondazh: Cilat janë aktivitetet tuaja gjatë fundjavës?
  • Sport 13%
  • Me miqtë dhe familjen 53%
  • Rri në shtëpi 33%

4 ditë armëpushim për lirimin e 50 pengjeve në Gaza, arrihet marrëveshja Izrael-Hamas

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2023, 07:01 | Bota

Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një marrëveshje për lirimin e 50 pengjeve që mbahen në Gaza gjatë një pauze 4-ditore në luftime. Zyrtarët izraelitë thonë se 50 pengjet që do të lirohen do të jenë të gjithë gra dhe fëmijë. Nëse ka sukses, ky do të jetë armëpushimi i parë që nga fillimi i luftës.

Pauza në luftime mund të zgjasë për më shumë se 4 ditë dhe Izraeli thotë se për çdo 10 pengje të liruara, pauza do të zgjatet me një ditë.

Hamasi thotë se 50 pengjet do të lirohen në këmbim të 150 grave dhe fëmijëve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Marrëveshja u miratua nga kabineti i Izraelit pas një takimi të gjatë që u zhvillua në orët e para të së mërkurës. Sipas marrëveshjes, lirimi i çdo 10 pengjeve shtesë, do të zgjasë pauzën e luftimeve me një ditë.

Para takimit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se përpjekjet e luftës do të vazhdojnë edhe nëse arrihet një marrëveshje pengjesh.

Katari, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen, thotë se një numër më i madh kamionësh që transportojnë ndihma, furnizime mjekësore dhe karburant, do të lejohen të hyjnë në Gaza, e cila po përballet me një situatë të rëndë humanitare.

“Koha e fillimit të pauzës do të shpallet brenda 24 orëve të ardhshme dhe do të zgjasë katër ditë”, tha Doha në një deklaratë.

Izraeli filloi të sulmojë Gazën pasi luftëtarët e Hamasit kaluan kufirin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng më shumë se 200 të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 14.000 njerëz, duke përfshirë më shumë se 5000 fëmijë janë vrarë nga Izraeli.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani