Europa nuk mund të mbështetet tek Amerika për ta mbrojtur. Ky është konkluzioni i arritur nga Komuniteti Politik Europian në Budapest. Ideja e shprehur fillimisht nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe e elaboruar në konkluzione nga Viktor Orban, kërkon një Europë më të fortë më të sigurt dhe një aktor më të madh në proceset e paqes.
"Ka pasur një marrëveshje që duhet të reagohet ndaj rezultateve të zgjedhjeve amerikane. Ne duhet të dimë se ndryshime të mëdha po vijnë dhe ne duhet të reagojmë ndaj saj. Ka pasur një marrëveshje që duhet të ketë paqe në Evropë sa më shpejt të jetë e mundur. Aty ishte një marrëveshje që Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për paqen dhe sigurinë e saj në të ardhmen, për ta thënë edhe më troç, ne nuk mund të presim që amerikanët të jenë të vetmit që do të kujdesen për ne”, tha kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Kryeministri i Hungarisë, aleat besnik i Donald Trump theksoi se Europa duhet të jetë prezente në proceset e paqes të cilat pritet të ndikojnë në fatet e Europës. Përfshi këtu edhe negociatat me Rusinë dhe Ukrainën.
"Dhe u ra dakord gjithashtu që Evropa duhet të mbetet një lojtar i rëndësishëm në negociatat dhe proceset që do të vendosin të ardhmen përpara nesh. Këto do të ndikojnë në fatin e Evropës. Negociatat e tilla do të zhvillohen së shpejti dhe Evropa duhet të jetë e pranishme atje me mjaft peshë për të qenë në gjendje të ndikojë në vendimet e mëvonshme”, deklaroi Orban.
Orban nuk harroi pa përmendur edhe momentin e gëzimit kur Donald Trump fitoi garën presidenciale në SHBA.
"Unë vetëm pjesërisht e mbajta premtimin. Ne hapëm edhe shampanjën, por isha në Kirgistan kur fitoi Donald Trump. Por atje zakonet janë të ndryshme. Kjo është arsyeja pse ne përgjuam me kënaqësi setin e vodkës së bashku, duke u kënaqur me këtë rezultat fantastik", nënvizoi Orban.
Në krah të Viktor Orban në konferencën përmbyllëse ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ndryshe nga Orban, Rama nuk u shpreh hapur për iniciativën franceze të mosvarësisë nga SHBA por kërkoi krijimin e një strukture homologe të mendimit strategjik europian.
“Ishte e qartë që na duhet të punojmë së bashku me për të propozuar një strukturë tjetër homologe të mendimit strategjik të jetë një lloj sekretariati për ta bërë edhe punën më të lidhur mes dy forumeve. Ashtu siç Macron e tha sot, nëse numërojmë njerëzit që përfaqësojmë në këtë hapësirë të mrekullueshme të këtij stadium është Evropa e 500 milionëve”, tha Edi Rama.
I vetëdijshëm për momentin e vështirë që po kalon Europa, Rama theksoi se është tragjikisht optimist për të ardhmen e evropiane të Shqipërisë. (A2 Televizion)