“Zgjerimi i Bashkimit Europian është një çështje me rëndësi dhe ndërhyrja ruse mund të përbëjë kërcënim për të”. Janë fjalët e presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel pak pasi presidenti Volodymyr Zelensky ngriti alarmin se ka informacione që Rusia po përgatit një luftë në Ballkan për të devijuar vëmendjen nga konflikti në Ukrainë.
Gjatë një takimi me kryeministrin Andrej Plenkovic në Kroaci, zyrtari i lartë europian theksoi se zgjerimi do ta bënte bllokun prej 27 anëtarësh më të sigurt dhe do të garantonte paqen për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke iu referuar paralajmërimit të Zelenskyt, Michel tha se nuk mund të përjashtojnë se Rusia po tundohet të nxisë një konflikt të ri.
"Zgjerimi dhe perspektiva e zgjerimit është shumë e rëndësishme sepse ne e dimë se BE-ja do të jetë më e sigurt dhe më e begatë. Nuk mund të përjashtojmë tundimet nga Rusia apo edhe nga të tjerët për të ndërhyrë apo ndikuar. Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi absolutisht të bindur se përparimi në rrugën e BE-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm për më shumë stabilitet dhe për t'u siguruar që ky rajon do të jetë paqësor”, tha Michel.
Presidenti i Këshillit Europian e cilësoi samitin e ri në muajin dhjetor si thelbësor për diskutimet jo vetëm mbi çështjen e zgjerimit, por edhe mbështetjen financiare të vendeve kandidate. Edhe kryeministri kroat Plenkovic tha se vendi i tij e mbështet fuqishëm rrugën e fqinjëve në Ballkan drejt BE-së.
“Vetëm ankorimi i vendosur i fqinjëve tanë në proceset Europiane do të garantojë paqe, siguri, stabilitet dhe marrëdhënie më të mira multilaterale. Gjëja e fundit që na duhet është një tjetër luftë në Europën juglindore”, theksoi Michel. (A2 Televizion)