“Zbutet” Trump për emigrantët, premton leje qëndrimi para Presidencialeve

Nga A2 CNN
21 Qershor 2024, 10:46 | Bota

“Zbutet” Trump për emigrantët, premton leje qëndrimi

Një kartë jeshile që i lejon individët të jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara, por edhe që do të shërbejë si një rrugë drejt shtetësisë amerikane, është premtimi më i ri i fushatës së Donald Trump në kuadër të Presidencialeve 2024.

Kandidati republikan për president, në një kthesë të papritur në politikat e emigracionit, propozoi të enjten që të diplomuarit nga kolegjet në Shtetet e Bashkuara të marrin automatikisht një kartë jeshile, ose një leje për të punuar dhe banuar në Amerikë.

Kur mbaroni kolegjin, mendoj se duhet të merrni automatikisht një kartë jeshile si pjesë e diplomës tuaj, në mënyrë që të mund të qëndroni në këtë vend. Kushdo që mbaron kolegjin, kalon dy ose katër vite atje, ose merr një diplomë nga kolegji, duhet të jetë në gjendje të qëndrojë në këtë vend”, tha Trump në podcastin All-In të organizuar nga investitorët e teknologjisë.

Nuk është e qartë nëse Trump po i referohej të gjithë të huajve, përfshirë ata që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme ose u ka mbaruar afati i vizave, apo karta jeshile që ai propozon do të jetë vetëm për ata me viza studentore.

Trump më parë ka mbajtur një qëndrim të ashpër për imigracionin gjatë mandatit si President, duke investuar edhe në ngritjen e murit përgjatë kufirit Meksikë-SHBA. Ai madje ka premtuar masa të ashpra nëse rizgjidhet në nëntor dhe ka kritikuar përpjekjet e Joe Biden për të frenuar numrin rekord të emigrantëve ilegali që hyjnë në SHBa, duke i cilësuar të dështuara.

Sakaq, ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë kanë propozuar legjislacion në të kaluarën që do ta bënte më të lehtë për disa studentë të diplomuar qëndrimin në vend.

Në kampin Demokrat, presidenti Biden përpara zgjedhjeve u ka ofruar shtetësi bashkëshortëve të shtetasve amerikanëve. Propozimin e tij për një rrugë drejt shtetësisë për qindra mijëra emigrantë të paligjshëm që janë martuar me shtetas amerikanë, Biden e bëri të martën.

Programi do të jetë i disponueshëm për gati 500,000 bashkëshortë të qytetarëve amerikanë që kanë jetuar në SHBA për të paktën 10 vjet që nga 17 qershori”, u sqarua nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Pothuajse 50,000 fëmijë nën moshën 21 vjeç që kanë një prind me nënshtetësi amerikane do të kenë gjithashtu të drejtën e shtetësisë. “Do të promovojë unitetin e familjes dhe do të forcojë ekonominë tonë”, tha Shtëpia e Bardhë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024