BE mban dinarin serb në Bruksel! Guvernatori i BQK: Plani nuk preket, folëm për aspekte teknike

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2024, 21:42 | Ekonomi
 

Bashkimi Europian vijon ta mbajë “dinarin serb” në Bruksel. Raundi i negociatave mes delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë nuk prodhoi rezultatin e pritur nga ndërmjetësuesi i këtij takimi, Miroslav Lajçak, i cili e konsideroi event në kuadër të dialogut.

“Përshëndes përkushtimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e Bankës Qëndrore të Kosovës. Takimi i sotëm i Dialogut, ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pikëpyetje politike mbesin pa përgjigje. Nevojiten dhe takime të tjera”, tha Miroslav Lajçak, ndërmjetësues i BE-së në dialog.

Ky qëndrim i zyrtarit të BE-së përkon me atë të delegacionit serb, por jo me atë të delegacionit të Kosovës. Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i pranishëm në Bruksel, njoftoi se në takimin me palën serbe, rregullorja për dinarin nuk u vendos në diskutim apo kundërshtua nga BE.

“Janë ngritur disa shqetësime për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësime si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, u shpreh Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Guvernatori sqaroi më tej se ka dhënë me detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të parave përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të lehtësuar kalimin e atyre fondeve nga Serbia për në llogaritë e përfituesve në euro. Kjo deklaratë rrëzon dhe pretendimin e Lajçak, po ashtu edhe të kryenegociatorit serb.

Petar Petkoviç kërkoi që zgjidhja për dinarin të gjendet në nivel politik, duke predikuar mesazhin e vazhdueshëm që rregullorja e BQK ndikon në mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim dhe hedh poshtë që kjo çështje e brendshme dhe mbi të gjitha e një institucioni të pavarur nga qeveria të shndërrohet në politike apo të bëhet pjesë e dialogut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos