Glauk Konjufca e ka përjashtuar Mbretërinë e Bashkuar, kur u pyet mbrëmë në një intervistë për marrëdhëniet e Kosovës me shtetet Perëndimore, të cilat - siç tha i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, javën e kaluar - janë të zhgënjyera me Qeverinë e Kosovës.
Konjufca tha se me britanikët Kosova ka “raporte të shkëlqyeshme".
“Unë nuk mund të them ashtu në mënyrë universale, me i fut të gjitha shtetet. Për shembull, unë mendoj që me Britaninë e Madhe kemi raport të shkëlqyeshëm”, tha Konjufca.
Konjufca përmendi vizitën e ish-kryeministrit britanik, kryediplomatit të tanishëm, David Cameron në Prishtinë në fillim të vitit. Ai tha se ishte më e mira ndonjëherë për Kosovën.
“Mendoj që vizita e Sekretarit të Jashtëm, ish-kryeministrin Cameron, ishte vizita më e mirë e jashtme që e ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës pas pavarësisë. Njëra prej vizitave më të fuqishme që më kujtohet mua prej vitit 2008, me mesazhe shumë të qarta për Serbinë, me mbështetje të parezervë për shtetin e Kosovës”, tha kryeparlamentari për Kanalin 10.
Në dallim nga diplomati amerikan Escobar, që sipas Konjufcës po e shtyn konceptin e emisarit të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak është në anën e Serbisë, te britanikët thotë se nuk është e njëjta.
“Mua po më duket që Britania nuk është drejtpërdrejt kështu në kornizën e z. Lajçak”, tha Konjufca.
Escobar javën e kaluar ishte në Kosovë dhe tha se nuk mori dakordimin e kryeministrit Albin Kurti për disa çështje aktuale. Ai gjithashtu tha se “nuk është hera e parë” që ndodh kështu. (A2 Televizion)