Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar sërish të gjithë votuesit që e kanë mbështetur atë dhe partinë që ai e drejton duke thënë se e sheh me plot krenari rrugëtimin e LDK-së.
“E shoh me plot krenari rrugëtimin e bërë deri më tani. Nuk dimë ndryshe, nuk duam ndryshe, nuk duhet ndryshe”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Rritja e LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas tij, i jep mundësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak. Mirëpo, këtë arritje ai e konsideron si të pamjaftueshme për ndryshim.
“Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë dhe për këtë ndjejë keqardhje”- ka shkruar ai.
Ndërsa pas numërimit të votave, Abdixhiku është shprehur së LDK do të dalë me qëndrimet e veta politike. (A2 Televizion)