Kush do të jetë kryeministri i ri? Ethet e rezultatit, Kosova një ditë pas zgjedhjeve

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2025, 08:50 | Politikë

Fitorja prej 41.29% e votave për Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit nuk mjafton për të formuar qeverinë. Nga ky rezultat i cili përkthehet në 47 mandate Vetëvendosja nuk mund të qeverisë e vetme, pasi i duhen 61 mandate në parlamentin 120 vendësh. Gazetarja e A2 CNN Rosalba Bejdo e zhvendosur këto ditë në Kosovë, në një lidhje me "Dita Jonë", solli më shumë detaje në lidhje me procesin zgjedhor dhe rezultatet paraprake.

“Gati 90% të votave të numëruara Vetëvendosja prin me 41.29 duke siguruar 47 mandate, më pak seç i duhen për të formuar qeverinë; i duhen 61 mandate. Partia Demokratike e Kosovës me 21.83 për qind të votave, PDK ka rritje. Lidhja Demokratike me 17.75 për qind, një rezultat pak më i lartë se më herët. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e katërta me 7.68 për qind. Ndërsa Lista Serbe ka fituar 3.96 për qind, ka siguruar të 10 mandatet që i rezervohen komuniteti serb”.

Sipas gazetares Bejdo, Lëvizja Vetëvendosje synon që të marrë edhe votat e diasporës, në të kundërt mbetet e paqartë sesi do të formohet qeveria.

“Procesi drejt përfundimit do të nisë numërimi i votave të diasporës, ku janë zhvilluar votime nga datat 8 janar deri më 8 shkurt, janë votat me kusht të cilat do të numërohen sot. Kurti i ka varur shpresat te votat e diasporës. Është një nivel i konsiderueshëm votash janë regjistruar rreth 100 mijë, prej të cilëve 70 % e tyre kanë ushtruar të drejtën e votës.  Por do të duhet parë nëse këto vota do të shkojnë për vetëvendosjen, siç shpreson Kurti, i cili synonte 500 mijë vota. Nëse votat e diasporës nuk përmbushin rezultatin mbetet e paqartë si do të formohet qeveria”.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës nuk ishte siç shpresohej nga subjektet politike. Vetëm 40.59 e qytetarëve ushtruan të drejtën e votës. Pavarësisht se pati interes të lartë, nuk u reflektua në kutitë e votimit.

E pyetur nëse ndikuan deklarata e Richard Grenell në rezultatin e votimeve në Kosovë, gazetarja e A2 CNN thotë se "ai nuk është figurë popullore në Kosovë dhe nuk kanë shumë rëndësi deklaratat e Grenell në Kosovë që e konsiderojnë të korruptuar dhe të njëanshëm në favor të Serbisë".

Ndërkohë sa i përket zhvillimit të procesit zgjedhor, Kosova vijon të na japë një leksion demokracie. Procesi ishte i qetë dhe i rregullt me përjashtim të disa incidenteve të vogla në veri. ku u arrestuan 6 persona, si edhe një problem i pazakontë në faqen e KQZ-së.  

“Ashtu siç pritej procesi zgjedhor ka shkuar normalisht me disa probleme të vogla. Kosova është zgjuar e qetë sikurse ishte dhe dje gjatë gjithë ditës. Procesi zgjedhor zhvillohet në mënyrë të rregullt, Kosova gjithmonë na jep një leksion demokracie. Disa probleme në veri ku kemi pasur 6 të arrestuar në përpjekje për të intimiduar votuesit për të votuar Listën Serbe, apo një pezullim të votimeve në Zubin Potok se mbaruan fletët e votimit se ka pasur interes të shtuar në veri. Të vetmet problem gjatë numërimit ët votave pritej publikim më i shpejtë i rezultateve. Ka ndodhur një problem i pazakontë në faqen e KQZ e cila është bllokuar për disa orë. Ka pasur spekulime që mund të ketë pasur sulme kibernetike, por nuk është vërtetuar. Osmani mbrëmjen e kaluar  ka kërkuar që të ruhet integriteti i zgjedhjeve. Faqja ka rinisur të funksionojë në orët e para të ditës”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos