Reagim pati edhe nga Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, njëherësh lider i koalicionit të partisë së tij me “Nismën” dhe partnerët. Ai tha se nuk dëshiron të përmendë asnjë projeksion të publikuar deri më tani, por pretendoi të formonte qeverinë me opozitën.
“Jemi të sigurt se kemi rezultat dy shifror dhe këtë besoj që do ta vërtetojmë me numrin e votave po presim rezultate. Ajo që më gëzon është fakti që opozita i ka fituar këto zgjedhje dhe uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim që të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë së opozitës në Kosovë. Me këto exit polle-t nuk jemi të kënaqur me këtë që po thuhet, por megjithatë jemi të interesuar me pa se cilat rezultate konkrete do të vijnë. Ne kemi bërë shumë punë pra e vlerësojmë besimin sado që na është dhënë, por na vjen mirë megjithatë që mundi ynë dhe i tjerëve ka rezultuar me fitoren e opozitës… Me të dyja ne nuk i ndajmë, mendoj se opozita e bashkuar e krijon një shumicë solide dhe i jep Kosovës një qeveri të qëndrueshme të pakicës apo tepër të vogël dhe besoj që kjo do të ndodh”, u shpreh Haradinaj. (A2 Televizion)