Partia Demokratike e Kosovës zgjodhi kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, si kandidat për kryeministër. Votuesit Kosovar iu ofruan planin “Kosova mundet ma mirë”, që sipas tyre, paraqet një agjendë transformuese që mundëson adresimin e sfidave dhe nevojave kryesore që i ka vendi për të siguruar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët. Transformimi i vendit përmes investimeve strategjike në infrastrukturë, nxitja e kapitalit privat, krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik janë shtylla për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
PDK synon lehtësim të barrës tatimore, ngritjen e prodhimit vendor e nxitjen e eksporteve, dhe mjedis të favorshëm për investime.
“Do ta nisim një program të mbështetjes financiare që ofron subvencione dhe grante deri në 30% të investimeve të biznesit që punësojnë të rinj. Do ta themelojmë bursën e Kosovës për të përmirësuar mundësinë e financimit të bizneseve që hapin vende të reja të punës”, tha Bedri Hamza kandidat për kryeministër i PDK.
PDK premton se nën udhëheqjen e tyre të rinjtë do ta gjejnë perspektivën e nevojshme për zhvillimin e tyre, familjet do ta gjejnë mbështetjen e shtetit në çdo hap dhe shteti do të garantojë siguri dhe kushte ideale për të gjithë ata që synojnë një jetë të lumtur.
“Në muajt e parë të qeverisjes sime pagat do t’i rrisë për 50%, përveç pagave për70% do të rrisë pensionet bazike, do të rris pensionet kontibrutdhënëse, të cilat do të përshkallëzohen sipas viteve të punës. Do t’i rrisim për 50% përfitimet për familjet e dëshmorëve, për invalidë të luftës dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Hamza, raporton A2 CNN.
Duke e pajisur sistemin arsimor me burimet dhe mbështetjen e nevojshme, si për mësimdhënësit, ashtu edhe për nxënësit e studentët, PDK premton se Kosova do të pozicionohet si shembull i transformimit arsimor në rajon.
“Nga sistemi i deritanishëm arsimor për fëmijët më të rritur ne do të kalojmë në një sistem shkollor gjithëditor duke ofruar aktivitete jashtë shkollore dhe mbështetje gjithëpërfshirëse për të gjithë nxënësit gjatë gjithë ditës. Shkollat në Kosovë janë më të sigurta dhe fëmijët më të shëndetshëm”, theksoi ai.
Hamza premton krijimin e një sistemi shëndetësor që ofron kujdes të qasshëm dhe modern për të gjithë qytetarët, duke digjitalizuar sistemin, përmirësuar infrastrukturën dhe fuqizuar spitalet rajonale.
“Ne do të investojmë maksimalisht për ndërtimin e një sistemi shëndetësor bashkëkohor, sigurimet shëndetësore do t’i funksionalizojmë për të gjithë qytetarët ndërsa për pacientët me kancer dhe me ata me sëmundje kronike barnat do t’i sigurojmë falas”, premton Hamza.
Në infrastrukturë, PDK thotë se do të përfundojë të gjitha projektet që janë të nisura dhe të kujdeset për zhvillimin e kapaciteteve të tjera, ndërsa rëndësi do t’i jepet edhe agjendës së gjelbër.
Në politikën e jashtme, Hamza premton diplomaci më proaktive në raport me vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë, përfshirë shtetet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, ndërsa qëllimi strategjik është të arrihet që 2/3 e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara ta njohin Kosovën në mandatin katërvjeçar. Në dialogun me Serbinë, PDK thotë se do të jenë të përkushtuar për t’i respektuar dhe zbatuar obligimet që rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara. Brenda tre muajve të parë të qeverisjes premtohet një ristrukturim i plotë i procesit të dialogut.
Ky përfshin demokratizimin dhe institucionalizimin e përfaqësimit të Kosovës, miratimin e një platforme të qartë në Kuvendin e Kosovës dhe krijimin e një strukture gjithëpërfshirëse përfaqësuese.
PDK premton se të punojë që brenda vitit 2026, Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, e cila do ta përfshijë njohjen reciproke të shtetësisë.
“Në qeverisjen time Kosova do të riparojë dhe forcojë marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetit tonë do t’i hiqen sanksionet ndërkombëtare dhe do ta thellojmë bashkëpunimin strategjik, do të promovojmë stabilitet rajonal dhe do të ecim me hapa të shpejtë në procesine integrimit euroatlantik”, deklaron kreu i PDK.
Për sfidat e sigurisë, Partia Demokratike zotohet t’i japë përparësi përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kufitare, duke siguruar mbështetje të fuqishme ndërkombëtare për sovranitetin e Kosovës.
Megjithatë premtohet edhe digjitalizimi i mbarë sektorit të sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes, duke integruar edhe Inteligjencën Artificiale. Për ta mbrojtur shtetin, PDK premton se do të investojnë në modernizimin e infrastrukturës ushtarake, rritjen dhe modernizimin e kapaciteteve të forcave mbrojtëse, duke përfshirë ngritjen e gardës kombëtare me të gjitha strukturat e parapara dhe sigurimin e gatishmërisë së tyre. (A2 Televizion)