Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se në orët e hershme të mëngjesit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi deklaroi se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e vendvotimeve. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese duke votuar në Zgjedhjet për Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.
“Ju njoftoj se në orët e hershme të mëngjesit dhe me kohë, është shpërndarë materiali zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, për në të gjitha qendrat e votimit. Andaj, duke u mbështetur në informacione që kemi pranuar deri më tani, në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës, në 903 qendra votimi me 2,533 vendvotime, ka filluar procesi i votimit në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përveç votimit të rregullt, KQZ ka caktuar edhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime. Sipas Listës së Votuesve, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në ditën e sotme, është, 1 milionë e 970 mijë e 944. Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 28, prej të cilave 20 janë parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i kandidatëve për deputetë, të certifikuar nga KQZ dhe që u takojnë këtyre subjekteve politike është 1,279 kandidatë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese duke votuar në Zgjedhjet për Kuvendin e ardhshëm të Kosovës”.
Gjithashtu ai bëri të ditur vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që mban datën 8 shkurt, sipas të cilit lejohet votimi i votuesve në vendvotime me dokumente të identifikimit të Republikës së Kosovës me afat të skaduar. (A2 Televizion)