Kosova në zgjedhje, në garë 28 subjekte politike dhe 1280 kandidatë. Kurti synon mandatin e radhës

Nga Ideal Gola
9 Shkurt 2025, 08:06 | Politikë

Kosova në zgjedhje, në garë 28 subjekte politike dhe 1280

Kosova zhvillon sot zgjedhjet parlamentare. Rreth 1 milion e 971 mijë qytetarë rezidentë me të drejtë vote kanë mundësi t’i drejtohen kutive të votimit në 941 qendra votimi në gjithë Kosovën.

Mbi 125 mijë persona do te votojnë për herë të parë. 104,924 votues ishin regjistruar nga diaspora, afati për votim i të cilëve është mbyllur tashmë.

Në garë janë 28 subjekte politike me rreth 1280 kandidatë për deputetë. Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK kanë edhe kandidatët për kryeministër.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në ora 19:00. Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta; 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike.

Sipas KQZ-së, janë shtypur 323,218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Çdo votues ka të drejtë të zgjedh një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Në bazë të ligjit të ri zgjedhor, votat do të numërohen ne qendrat e numërimit në secilën komunë gjë që do të mundësojë deri në mesnatë të dihet rezultati preliminar i partive politike dhe shpërndarja e ulëseve në Kuvend. Votat për kandidatët do të fillojnë një ditë më pas në Qendrën kryesore të Numërimit në Prishtinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos