Dimër në pranverë! Rikthehet bora në Juglindje dhe Veri të vendit

Nga Ergys Kavaja dhe Artin Halili
12 Mars 2024, 11:36 | Aktualitet

Pranvera ka rikthyer reshjet e borës, në zonat malore të juglindjes së vendit. Në lartësitë mbi 1300 metra trashësia e borës ka arritur nga 5-8 cm, përfshirë këtu edhe majën e Bigllës në afërsi të fshatit turistik të Dardhës.

Reshje bore ka pasur edhe në aksin Shtyllë - Mashkullorë, aty ku ka qenë pothuajse e njëjta trashësi ndërkohë që borë ka pasur edhe në të njëjtat lartësi të fshatrave të thella të Voskopojës e Lekasit.

Aksi rrugor i Dardhës aktualisht është i kalueshëm pa probleme, ndërkohë që në rrugët e tjera përfshirë dhe ato të njësisë administrative Lekas e Vithkuq, nuk janë paraqitur probleme në qarkullimin e mjeteve.

Burime zyrtare thanë se nuk ka pasur probleme, përsa i përket furnizimit me energji elektrike përfshirë dhe fshatrat e zonave malore Gorë e Moglicë.

Reshjet e dëborës kanë mbërthyer këtë të martë edhe veriun e vendit. Në aksin Bogë-Theth, në lartësitë mbi 1200 metër, një borëpastruese punon për pastrimin e rrugës. Reshjet e borës kanë nisur prej disa minutash edhe në aksin Tamarë-Vermosh, por pa krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve.

Në zona më të ulëta në rrethinat e Shkodrës ka po ashtu rënie gurësh dhe inertesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos