Pas Strasburgut, shkarkimi i prokurores Sevdari, KPA do të rigjykojë çështjen

Nga A2 CNN
11 Mars 2024, 19:08 | Aktualitet

Si asnjëherë tjetër që nga nisja e procesit të vetingut në drejtësi, Kolegji i Posaçëm i Apelit, vendosi të rishikojë një vendim të dhënë prej tij për përjashtimin e një prokurori nga sistemi.

Ndonëse vendimet e KPA janë të formës së prerë dhe të paankimueshëm, në rastin e ish-prokurores Antoneta Sevdari, rishikimi i vendimit ishte një detyrë e caktuar shtetit shqiptar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Në seancën e së hënës një trupë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi të prishë vendimin e 28 shkurtit 2019, që përjashtoi nga sistemi prokuroren Sevdari dhe të rigjykojë ankimin e Komisionerit Publik kundër konfirmimit të saj në shkallën e parë të vettingut.  

Seanca e parë për përballjen e dytë të ish-anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Sevdari me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është caktuar më 17 prill, ora 10:00.

Vendimi i Strasburgut, që i hapi rrugë rigjykimi të çështjes “Sevdari” në KPA, u shpall më dhjetor 2022.

Gjykata Europiane tha se shkarkimi nga detyra i Sevdarit ishte disproporcional me problemet e vërejtura në pasurinë e siguruar nga bashkëshorti para martesës.

Në të njëjtin vendim, Strasburgu detyroi shtetin shqiptar të dëmshpërblejë Sevdarin dhe kompensojë shpenzimet gjyqësore në një total prej 24 600 euro.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos