Ndarja nga jeta e Qazim Sejdinit, Rama: Elbasanlli i mençur e fjalëpakë, la gjurmë në atë qytet

Nga A2 CNN
12 Qershor 2024, 15:58 | Aktualitet

Ndarja nga jeta e Qazim Sejdinit, Rama: Elbasanlli i mençur e

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri vlerëson Sejdinin si një njeri të mençur e fjalëpakë.

“Mik. Elbasanlli i mençur e fjalëpakë. Kryebashkiak i mirë dhe burrë zotni. La një gjurmë në historinë e qytetit dhe një kujtim të mirë te shumë miq që bëri në jetën e tij pa zhurmë. Prehu në paqe i dashur Qazim”, shkruan kryeministri Rama.

Ndërkohë, një reagim bëri edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi. Ai e shoqëron mesazhin e tij të ngushëllimit me një foto të 9 viteve më parë gjatë ceremonisë së konstituimit të Sejdinit në krye të bashkisë pas reformës territoriale dhe administrative.

“E trishtë ndarja nga jeta e Qazim Sejdinit, mikut tonë të mirë, socialistit të përkushtuar dhe drejtuesit të spikatur në qeverisjen vendore për më shumë se një dekadë. Drejtoi Elbasanin me urtësi e pa bërë kurrë dallime për qytetarët. Diti mençurisht të adresonte shqetësimet e tyre dhe sfidat e qytetit. Do t'i mungojë shumë njerëzve të tij të afërt dhe Elbasanit që e nderoi me detyrën e lartë të kryetarit të bashkisë. Le një boshllëk të madh edhe në familjen tonë politike. Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt e mirënjohje të veçantë. Ngushëllime familjes Sejdini! Lamtumirë miku ynë”, mbyllet mesazhi i Çuçit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos