Rama: Baza e Kuçovës, rol kyç në mbështetje të NATO

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2024, 09:05 | Aktualitet

Kryeministri Edi Rama tha se baza e re e NATO-s në Kuçovë do të jet ëvendimtare për aktivitetin e NATO-s pasi të bëhet operacionale më 4 mars. “Do të luajë një rol kyç në mbështetjen e aktivitetit të NATO-s, ndërkohë që do t’i shërbejë edhe fuqizimit të Forcave Ajrore të Shqipërisë, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës”, tha kryeministri përmes një postimi në Facebook, ku shpërndau edhe pamje nga brenda bazës.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se të gjithë shtetet anëtare të aleancës do të ndihmojnë që kjo bazë të pajiset me teknologjinë më të fundit. “Përgjatë 15 viteve në NATO, Shqipëria ka dhënë kontribut thelbësor. Muajin e ardhshëm, Shqipëria përuron bazën në Kuçovë. Të gjithë anëtarët do të sjellin kontributin e tyre. Çdo aleat ka rritur vitet e fundit shpenzimet për mbrojtjen. Jemi falënderues që Shqipëria po bën pjesën e saj dhe po mban detyrimet”, deklaroi Blinken.

Dy ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se kjo bazë do të shërbejë si qendër edhe për aktivitetet e Forcës Ajrore të Shqipërisë, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.

Ish-zv.ministri i Mbrojtjes, Avenir Peka, i ftuar në A2 CNN deklaroi se ka të dhëna se kjo bazë strategjike mund të përdoret për avionët F-16 që do të dërgohen në Ukrainë dhe ftoi kryeministrin të bëjë transparencë që nëse është arritur një marrëveshje e tillë me SHBA të bëhet me dije se çfarë armatimi do të vendoset aty.

Që prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, NATO ka rritur ndjeshëm gatishmërinë dhe është zgjeruar duke përfshirë në aleancë Finlandën dhe Suedinë. Kjo e fundit kaloi të hënën edhe pengesën e fundit, pasi Parlamenti i Hungarisë miratoi kërkesën e saj për t’u bërë pjesë e organizatës më të madhe ushtarake në botë.

Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama ka publikuar një letër që i ka dërguar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pas vizitës që ky i fundit zhvilloi në Tiranë dhe vlerësimet që ai shprehu gjatë qëndrimit të tij disa orësh.

Kreu i qeverisë vlerëson marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara teksa hedh idenë që samiti i radhës i NATO në vitin 2027 të mbahet në Tiranë, për të dhënë një mesazh të qartë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Besoj se ka ardhur momenti që aleanca të zhvillojë një samit në Ballkanin Perëndimor, për herë të parë. Ashtu si biseduam në Tiranë, dua të rikonfirmoj qëllimin e Shqipërisë për të pritur samitin e NATO në vitin 2027, menjëherë pas atij që do të mbahet në Turqi. Mbajtja e këtij samiti do të ishte me domethënie të madhe si për Aleancën dhe për Ballkanin Perëndimor dhe do të jepte një mesazh të fortë për rëndësinë strategjike që ka ky rajon për NATO”, shkruhet mes të tjerash në letër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos