Thirrjet e qeverisë ndaj emigrantëve për të lidhur urat e bashkëpunimit dhe rritjes së investimeve në Shqipëri, mirëpriten nga emigrantët por jo pa kushte.
“Që të investojnë në Shqipëri, shqiptarët si fillim kërkojnë njohjen e votës së tyre duke iu rritur kështu edhe besimi në atë çfarë ata do shpenzojnë paratë e tyre”, tha Kasem Zotkaj, përfaqësues nga diaspora.
Janë disa sektorë ku qeveria pret që emigrantët të ndikojnë në rritjen e ekonomisë shqiptare. Agroturizmi, turizmi, bujqësia apo shërbimet financiare etj. Këto janë drejtimet në të cilat vet emigrantët kanë shpenzuar paratë e tyre, por thirrja e qeverisë drejtohet më së shumti edhe tek teknologjia.
“Duhet të jetë pak e specifikuar nga qeveria që lehtësirat fiskale mos ti përfshijnë investimet e huaja se përjashtojnë shqiptarët që jetojnë jashtë, si për shembull iniciativa TEDA e thirrja që është bërë, më shumë fitojnë investimet e huaja”, u shpreh Kasem Zotkaj , përfaqësues nga diaspora.
Arsyet kryesore që pengojnë rikthimin e emigrantëve janë mungesa e besimit tek institucionet shtetërore dhe korrupsioni e krimi i organizuar.
“Nuk mendoj se ka shqiptarë që se kthejnë kokën nga vendi. Kështu që dëshira është aty, por shteti duhet të jetë serioz, ti vishet punës dhe të krijojë bazamentet e duhura”.
Shqipëria është vendi i tretë në botë për diasporën më të madhe. Kryesisht në Itali, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar e Belgjikë jetojnë e punojnë 1,7 milionë qytetarë. (A2 Televizion)