Gjendet bazë armatimi në Durrës, pronari tenton të arratiset me vrap, por rrëzohet! Policia i vë prangat (VIDEO)

Nga A2 CNN
9 Mars 2024, 13:14 | Kronikë

Pas Vlorës, një tjetër bazë armatimesh është gjetur në qytetin e Durrësit. Mësohet se këto armatime ishin të fshehura në një shtëpi 2 katëshe të pabanuara. Droni i Policisë ka filmuar një nga momentet ku pronari i kësaj baze shkonte në ambientet e kësaj shtëpie.

Në momentin që ka parë se kanë mbërritur efektivët e policisë, ai ka tentuar të largohet me vrap, por kjo tentativë e tij ka rezultuar e dështuar. Teksa largohej mes pemëve të ullishtes, ai u rrëzua dhe menjëherë policia i vuri pranga.

Nuk dihet ende identiteti i tij, mirëpo ka dyshime të forta se kjo bazë shërbente për të furnizuar me armë grupet kriminale në Durrës. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet dhe po kryen të gjitha veprimet për të zbuluar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale që kanë ndodhur në qytetin bregdetar.

Për këtë operacion ka pasur edhe një reagim nga ana e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka përgëzuar punën e Policisë.

“Policia e Shtetit, Durrës po godet sistematikisht fenomenin e armëmbajtjes pa leje. Përgëzime për goditjen e një tjetër baze që shërbente për furnizimin me armë zjarri të grupeve kriminale”, njoftoi Policia.

Më herët, u gjet një bazë armatimesh të rënda në Vlorë, në fshatin Babicë e Madhe, ku ra në pranga 35-vjeçari Luçiano Deraj.

A2 CNN Livestream

Dita jonë