Operacion në Shqipëri dhe gjithë Europën, shkatërrohet grupi i strukturuar kriminal

Nga A2 CNN
1 Mars 2024, 09:16 | Kronikë

Operacion në Shqipëri dhe gjithë Europën, shkatërrohet

Një grup i strukturuar kriminal që kryente evazion fiskal duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 195 milionë eurosh përmes krijimit të faturave fiktive me qëllim rimbursimin e TVSH-së, është shkatërruar në një megaoperacion në të gjithë Europën, përfshi edhe Shqipërinë.

SPAK njoftoi se në vendin tonë janë kryer 5 kontrolle ambientesh, nga të cilat janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike (aparate telefonike, laptop, si dhe USB/HDD), janë marrë në pyetje shtetas të ndryshëm, si dhe janë siguruar të gjitha provat materiale që subjektet në hetim kanë kryer në Shqipëri.  

Hetimi është shtrirë në 17 shtete (Shqipëri, Austri, Kroaci, Qipro, Çeki, Estoni, Gjermani, Hungari, Itali, Maltë, Holandë, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Suedi dhe në Mbretërinë e Bashkuar), duke kryer më shumë se 180 kontrolle, si dhe janë arrestuar 14 shtetas.

Më shumë se 680 hetues të ndryshëm janë angazhuar për të realizuar këto veprime hetimore. Zyra e Prokurorit Publik Europian tha se gjatë operacionit në të gjithë shtetet e lartpërmendura janë sekuestruar telefona celularë me vlerë mbi 15,3 milionë euro, si dhe një jaht me vlerë 3 milionë euro, 1,2 milionë euro para cash dhe kriptovaluta. Gjithashtu janë sekuestruar disa automjete, të markave Rolls-Royce, BMW dhe Range Rover. Janë sekuestruar edhe bizhuteri, ora luksoze dhe 2,5 kg ar.

A2 CNN Livestream

Dita jonë