Procesi i Fatmir Mediut, ish-ministri i mbrojtjes: Të zbardhet e vërteta për shpërthimin në Gërdec

Nga A2 CNN
24 Prill 2024, 22:24 | Kronikë

Akt ekspertimi për shpërthimin e 15 Marsit 2028 në Gërdeci është prova radhës që u debatua gjatë seancës së kësaj të mërkure në GJKKO. Akuza dhe mbrojtja patën qëndrime të kundërta lidhur me ekspertizën e kryer nga amerikanët. Avokatët e Fatmir Mediut deklaruan se akt ekspertimi nuk jep përgjigje se çfarë ndodhi në 15 Mars në Gërdec, pasi renditen 5 hipoteza për shkakun e shpërthimit, ndaj kërkuan marrjen e ekspertëve në pyetje dhe kryerjen e një eksperimenti të ri. Edhe vetë Mediu në përfundim të seancës mbajti të njëjtin qëndrim.

“Është në interes të të gjithë shqiptarëve pse kanë ndodhur ngjarja në Gërdec. Duke lënë mënjanë çështjet e rregullave të tjera, çfarë ka ndodhur realisht. Si prokuroria dhe ekspertët amerikanë kanë thënë që shkaqet janë të papërcaktuara. Ajo që ka qenë e pamjaftueshme është marrja e informacionit nga institucionet shtetërore sidomos atyre të inteligjencës”, u shpreh Mediu.

Avokati Henrik Ligori gjatë seancës deklaroi se Prokuroria dhe Gjykata duhet të marrin në konsideratë dhe një shkak tjetër lidhur me shpërthimin që mund të jetë një ngjarje e qëllimshme. Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori i çështjes Klodian Braho, i cili tha se është e panevojshme kryerja e një eksperimenti. Të njëjtin argumentim parashtroi edhe avokati i viktimave Dorjan Matlia.

“Nuk mundet që një të vërtetë ta ndërojmë mbi hipoteza. Mendoj se do të ishte në dinjitetin e organit të akuzës të bëhen të gjitha aktet e ekspertizës për të arritur në një konkluzion sa më të afërt dhe sa më të drejtë”, tha Mediu.

Gjykata edhe në këtë seancë u rezervua që të deklarohej nëse do të pranohet apo jo kjo kërkesë. Gjyqtarja Irena Gjoka relatoi se nga SHBA kishte mbërritur dhe letërporosia në lidhje me pyetjen e dëshmitarëve të kërkuara nga SPAK, që janë përfaqësues të kompanisë SAC.

Në përgjigje autoritetet e SHBA sqarojnë se dëshmitarët nuk mund të pyeten gjatë seancave gjyqësore në GJKKO, por vetëm nga hetuesit e FBI. Edhe për këtë çështje Mediu dhe avokatët e tij kishin rezerva duke kërkuar që marrja në pyetje të bëhet me videokonferencë.

“Ne e kemi të qartë qëndrimin tonë, ne nuk preferojmë që të ecim me pyetje me letra, por me një komunikim interaktiv”, u shpreh ish-ministri.

Procesi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes do të vijojë në 2 maj në orën 10:00, kohë kur gjyqtarja caktoi dhe seancën e radhës, në të cilën do të debatohet mbi provat e administruara deri më tani.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli