Para, armë zjarri, makina të blinduara, kamera vrojtimi, sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta që kapin vlerën e 4.5 milionë eurove. Janë këto rezultatet të megaoperacionit të SPAK që vijoi për dy ditë me radhë.
Sipas SPAK, operacioni është zhvilluar në kuadër të 4 procedimeve penale ku janë evidentuar kryerja e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen. Organi i akuzës bën me dije se ka zbardhur disa tentativa për vrasje të ndodhura në Tiranë, Krujë e Burrel.
Në njoftim del në pah bashkëpunimi i ngushtë mes grupit të të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj dhe një tjetër grupi kriminal me bazë në Lezhë, që drejtohet nga ish-deputeti Arben Ndoka.
Nga ana tjetër, Edison Reçi kishte urdhëruar ekzekutimin e shtetasit Preng Gjini.
Gjithashtu, SPAK njofton se është zbardhur vrasja e Shkëlzen Kastratit, 41 vjeç, në Fier, ngjarje kjo e ndodhur në shkurt 2021. SPAK thotë se ka identifikuar vrasësit e 41-vjeçarit.
SPAK ka nxjerrë 50 urdhër-arresti nga të cilat janë ekzekutuar 14 në Shqipëri ndërsa 6 janë ekzekutuar jashtë, 2 në Itali, 1 ne Gjermani, 1 në Spanjë e 2 në Belgjikë.
Gjatë operacionit që zgjati mbi 20 orë, dhjetëra oficerë të BKH-së por edhe efektivë të shumtë policie kanë mësyrë në mbi 50 prona, ndërsa GJKKO ka caktuar masën arrest me burg për 50 të dyshuar për disa ngjarje kriminale. (A2 Televizion)