Targa, maska silikoni, snajper, gjendet bazë armatimi në Babicë të Vlorës

Nga A2 CNN
7 Mars 2024, 18:21 | Kronikë

Një bazë armatimesh të rëndë, që do ta kishte “zili” edhe vetë Policia është gjetur mesditën e sotme në Babicë të Madhe të Vlorës. Në pranga ka rënë Luçiano Deraj, një personazh i cili për uniformat blu është i lidhur me grupe kriminale.

Në konferencën për mediat që pati policia e qytetit bregdetar njofton se i arrestuari ka lidhje me 2 ngjarje kriminale të ndodhur në Vlorë, pa dhënë detaje se për cilat bëhet fjalë. Nga ana tjetër, kanë dyshime të forta se ky grup kriminal po përgatitej për një vrasje, megjithatë hetimet vijojnë.

Mes armëve të gjetura janë snajper,  pistoleta, kallashnikovë, fishekë, maska, çifte, radiomarrëse mina me telekomandë, çelësa automjetesh, teksa u zbuluan dhe targa të shumta, maska silikoni.

Kush është pronari i bazës së armatimit?
Uniformat blu kanë bërë me dije se në pranga ka rënë Luciano Deraj i cili njihej edhe si “Albano”, banues në Babicë të Madhe, Vlorë. Ai është nën hetim nga policia kryerjen e dy veprave të rënda kriminale, disa kohë më parë, në Vlorë, megjithatë nuk është specifikuar se për cilat ngjarje bëhet fjalë. AI bënte pjesë të një grupi kriminal, i cili ishte përfshirë në këto ngjarje të rënda. Policia njoftoi se për këtë, do të jap detaje në një moment të dytë.

Lista e armatimeve të gjetura në Banicë të Vlorës
1. Një armë zjarri snajper e kalibrit 7.62 mm, e montuar në gjendje luftarake, me silenciator (zhurmëmbytës); 
2. Pjesë përbërëse të armëve luftarake, për formimin e 2 armëve të tjera zjarri pushkë snajper; 
3. Një armë zjarri pistoletë, e markës “Zastava” kalibri 10 mm, dhe 2 krehra me fishekë të po këtij kalibri;
4. Një armë pistoletë-stilolaps me ngjyrë bronxi dhe një sasi prej 40 fishekësh të kalibrit 5.6 mm;
5. Një armë e futur në këllëf, e kalibrit 12 mm, prodhim Rus; 
6. Dy kuti plastike me material ndihmëse për mirëmbajtjen e armëve snajper;
7. Minë e përshtatur me celular dhe eksploziv plastik, si dhe shtatë kallëpe me lëndë eksplozive plastik të kapaciteteve 200 dhe 400 gr;
8. Katër silenciatorë me trup metalik me ngjyrë të zezë për armë të gjata;
9. Një dylbi optike termike me ngjyrë ushtarake, me gjatësi 41 cm me shikueshmëri natën;
10. Katër dylbi optike si ato që vendosen në armët e zjarrit për shënjestër në largësi;
11. Dy palë dylbi optike vëzhgimi; 
12. Akesorë plotësues për shënjestra optike të armëve të zjarrit; 
13. Një kuti plastike me ngjyrë të zezë, brenda së cilës gjenden 200 copë fishekë kalibri 9 mm.
14. Një sasi e madhe fishekësh të kalibrit 7.65 mm dhe 45 krehra automatiku fishekë të kalibrit 7.62, model 56 dhe një sasi e madhe fishekësh të po këtij kalibri;
15. Nje sasi e madhe fishekësh kalibri 12 mm;
16. Disa mijëra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, ndezësa granatash dore;
17. Disa celularë që do t’i nënshtrohen ekspertizës;
18. Një radio marrëse-dhënëse, me mbishkrimin, me karikuesin e saj në valë të DVP Vlorë;
19. Një pajisje me antenë;
20. Njësi qendrore kompjuteri dhe DVR;
21. Një numër i madh targash automjetesh dhe celësash të ndryshëm automjetesh;
22.  Disa maska me ngjyre të zeze dhe maska silikoni me formën e kokes se njeriut;
23. Disa fenelina policie dhe veshje te ndryshme

Edhe 2 baza armatimesh të tjera në Vlorë
Ky operacion është në vazhdimësi të 2 operacioneve të tjera, të koduar “Knock Out 4” dhe “Knock Out 5”, që u finalizuan gjatë muajit shkurt. Edhe në këto 2 raste u gjetën një tjetër arsenal armësh që përfshinin 1 minë me telekomandë, 5 kallepe tritol, 7 kapsolla dentoatore, 4 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, të cilat, bazuar në inteligjencë informative. Dyshohet se do përdoreshin për ngjarje kriminale, për llogari të grupeve kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos